Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vijon dëgjimi i dëshmitarit të parë i Zyrës së Prokurorit të specializuar kundër ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Zenka Pumper, që është koordinatore e hetimit në ZPS, është përgjigjur sot rreth paketës numër 3 e cila përmbante dokumentet e sekuestruara nga OVL-UÇK për të cilën ka thënë se ka pasur emra e prova që kanë të bëjnë me dëshmitarë të cilët ishin objekt i masave mbrojtëse.

Dëshmitarja ka thënë se “Paketa 3” përfshinte referenca ndaj intervistave të dëshmitarëve, të cilat ishin kryer nga Task Forca Speciale Hetimore dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Sipas saj, aty ka pasur emra të dëshmitarëve dhe data kur janë realizuar intervistat.

Prokurorja Valeria Bolici: Hetuese, kur keni shqyrtuar “Paketën 3” a keni verifikuar nëse kjo paketë përfshinte referenca ndaj intervistave të dëshmitarëve të cilat ishin kryer ose nga Task Forca Speciale Hetimore ose ZPS?

Dëshmitarja Zenka Pumper: Po

Prokurorja Valeria Bolici: A e mbani mend se si përmenden këto intervista të dëshmitarëve, përfshirë edhe emrin e dëshmitarit?

Dëshmitarja Zenka Pumper: Përgjithësisht po, e kishin edhe emrin e dëshmitarit.

Prokuorja Valeria Bolici: Referencat ndaj datave kur janë bërë intervistat a ishin aty

Dëshmitarja Zenka Pumper: Po ishin të kombinuara, disa kishin data.

Dëshmitarja ka dhënë përgjigje në pyetjet e prokurores Valeria Bolici ku ndër të tjera ka thënë se paketa 3 përfshinte referenca, emra, pseudonime dhe prova që kanë të bëjnë me dëshmitarë që ishin objekt i masave mbrojtëse.

“Mua më është dhënë nga prokuroria, më janë dhënë emrat specifik, dhe këto emra i kam kontrolluar në bazën tonë të brendshme të të dhënave dhe e kam parë aplikimet, kërkesat e prokurorisë dhe rregullat e gjykatës të cilët japin urdhra mbrojtës për individ të cilët janë identifikuar në paketën 3. Është pak e vështirë për mua që të konfirmoj se cilat janë dokumentet të cilat kam parë dhe kam kontrolluar. Ajo çfarë mund të them unë është që kam përcaktuar qartë nëse personat të cilët kanë qenë pjesë e paketës numër 3 ishin apo jo pjesë e urdhrit për dhënien e masave mbrojtëse për këta individë”, ka thënë ajo.

Sipas saj këtu bëhet fjalë për tre dëshmitarë.

Zenka Pumper ka thënë se “Paketa 3” përmbante informacion që i ishte dhënë ZPS-së nga organizata ndërkombëtare.

“Unë kam marrë emrat e individëve dhe më pas këto emra janë konfirmuar në paketën 3, kam shqyrtuar dokumentet të cilat lidhen me të njëjtit individë nga organizata ndërkombëtare të cilat kanë vendosur kufizime në nxjerrjen e materialeve apo deklaratave individuale të cilat janë dhënë për ZPS-në nga organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Prokurorja Valeria Bolici edhe gjatë kësaj seance i ka paraqitur disa dokumente dëshmitares, për të cilat kjo e fundit ka konfirmuar se i ka shkruar.

Për disa prej këtyre dokumenteve, prokurorja ka kërkuar nga trupi gjykues që të regjistrohen si prova materiale.

Një pjesë e seancës ishte e mbyllur.

Zenka Pumper është dëshmitari i parë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt që po mbahet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e

Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA