Qindra veta protestuan në Podgoricë para qeverisë së Malit të Zi, kundër siç u tha, dhunës policore dhe vendimit të autoriteteve për të regjistruar Manastirin e Cetinës si pronë të Kishës Ortodokse Serbe.
Organizatorët e protestës thanë se zëvendës kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do t’i dorëzohen dëshmitë për dhunën e ushtruar nga policia e shtetit me 5 shtator, gjatë shugurimit të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
Veprimtari për të drejtat e njeriut, Aleksandar Sasha Zekoviç, tha se policia ka përdorur dhe po përdorë në mënyrë të paligjshme mjete të dhunës kundër qytetarëve që janë vënë në mbrojtje të identitetit të tyre malazez.
Ndërsa duke kundërshtuar vendimin për regjistrimin e Manastirit të Cetinës si pronë të Kishës Ortodokse Serbe, zoti Zekoviç tha se ai manastir ka jo vetëm rëndësi fetare, por edhe shtet ndërtuese dhe është simbol i trashëgimisë kulturore për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.
“Ne po u themi atyre që do të formojnë ose mbështesin qeverinë e re se vendimi i Administratës së Kadastrës dhe Pronës Shtetërore duhet të tërhiqet menjëherë. Nëse kjo ndodhë, do të krijohet një pikënisje për vendosjen e besimit dhe dialogut. Një qeveri që bëhet kërcënim për të drejtat e njeriu, është e dënuar”, tha zoti Zekoviç.
Veprimtarja e shoqërisë civile, Jelena Markoviç, tha se gjatë shugurimit të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Serbe në Cetinë, policia kishte shkelur të drejtat e qytetarëve.
“Jo vetëm që ne u sjellim atyre dëshmi, por dëshmi të shumta erdhën këtu, njerëz të gjallë, qytetarë me identitet të plotë. Ata erdhën për të dëshmuar për brutalitetin policor vetëm sepse nuk pajtohen me politikën e asimilimit”, tha ajo.
Protestuesit brohoritën “Kjo nuk është Serbi”, “Tradhtarët poshtë”, “Malazezët nuk i duan zinxhirët” etj, ndërsa ndezën pishtarë dhe kënduan himnin malazez. Në mesin e protestueseve ishte Mitropoliti i Kishës Autoqefale të Malit të Zi, Mihailo.
Mali i Zi u pavarësua në vitin 2006, por kisha e tij nuk u bë autonome dhe mbeti nën Kishën Ortodokse Serbe, që për shumëkënd është një simbol i ndikimit serb.
Çështja e pronësisë së Kishës Ortodokse Serbe ka shkaktuar tensione të shumta gjatë viteve të fundit në Mal të Zi.
Ligji për Liritë fetare, i miratuar në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokrate e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviç, kërkonte nga Kisha Ortodokse Serbe të dëshmojë për pronat përgjatë viteve të kaluara.
Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e gushtit të vitit 2020 e ndryshoi Ligjin duke ia njohur të drejtën e pronës kishës serbe, e cila selinë e ka në Beograd.
Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian./VOA
Top Channel