Qindra persona kanë protestuar në Varshavë dhe Krakov të Polonisë në mbrojtje të refugjatëve, duke kërkuar trajtim më të mirë për ta.
Tubimet vijnë në kohën kur ekzekutivi vendas po përgatitet të paraqesë masa më të ashpra për të ndaluar hyrjen e emigrantëve, shumë prej të cilëve janë duke shfrytëzuar rrugën nga Bjellorusia dhe përmes Polonisë tentojnë kalimin në vende të tjera të BE-së.
Në Varshavë, protestuesit thërrisnin “ndalni torturën në kufij”, ndërsa kërkuan t`i jepet fund dëbimeve.
Pjesëmarrësit në marshim e akuzuan qeverinë se po përdor metoda të debatueshme për t`i kthyer mbrapsht refugjatët mes Polonisë dhe Bjellorusisë.
Varshava ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kufi me këtë shtet dhe është duke ndërtuar një ndalesë kufitare, për shkak të krizës atje.
Bashkimi Evropian dhe zyrtarë të tjerë e kanë akuzuar presidentin bjellorus, Aleksander Lukashenko se po i përdor emigrantët si armë në përgjigje të sanksioneve që Brukseli vendosi ndaj Minskut për shkak të shtypjes së bërë opozitës që prej mbajtjes së zgjedhjeve në gusht të vitit të kaluar.
Top Channel