Bashkitë arkëtuan 21 mld lekë/ Në 9-mujorin e parë 4.3 mld më shumë se një vit më parë

17/10/2021 19:47

Bashkitë kanë mbledhur më shumë të ardhura për 9-mujorin e këtij viti duke tejkaluar edhe nivelet e para krizës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave pushteti vendor ka arkëtuar për këtë periudhë 21 miliardë lekë nga taksat, rreth 4.3 miliardë lekë apo 35.3 milionë euro më shumë se një vit më parë.

Ndërsa në raport me vitin 2019 të ardhurat për bashkitë u rritën me rreth 16.4 milionë euro, ku peshën më të madhe gati gjysmën e tyre e mbajnë të ardhurat që pushteti vendor siguron përmes taksës së ndikimit në infrastrukturë mbi ndërtesat e reja, që vijon të ndikojë pozitivisht ecurinë e të ardhurave pasi edhe në pjesën e parë të vitit lejet e ndërtimit kanë parë një rritje të konsiderueshme.

Më shumë para janë mbledhur edhe për taksën e pasurisë dhe atë mbi ndërtesat për 9-mujorin pasi totali i tyre arriti në 4.9 miliardë lekë të ardhura, nga 3.9 miliardë lekë arkëtime që u mblodhën për të njëjtën periudhë të 2020-ës.

Referuar statistikave rritje kanë shënuar edhe arkëtimet nga taksat lokale me 15.8 miliardë lekë të grumbulluara deri në fund të shatorit, rreth 28 milionë euro më shumë se kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, kur pandemia dha edhe ndikim të konsiderueshëm.

Ndërsa taksat lokale që mbledhin bashkitë të cilat kanë një peshë të vogël në totalin e të ardhurave të pushtetit vendor kanë parë një rritje të papërfillshme në këtë periudhë.

E kundërta ka ndodhur me shpenzimet pasi 61 bashkitë e vendit duket se i kanë reduktuar ndjeshëm në 36.5 miliardë lekë në fund të shtatorit, rreth 4.7 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, që shënuan një rritje të konsiderueshme në kuadër të nevojave të plotësimit të nevojave të pandemisë.

Top Channel