Sinisha Sevo u cilësua si tradhtar vetëm pse u siguroi emigrantëve një vend për të fjetur në hotelin e tij në Sombor – qytet në veriperëndim të Serbisë.
Për këtë, ekstremistët e djathtë e kërcënuan me vdekje në mediat sociale. Fotografia e tij dhe e pesë të tjerëve, plus të dhënat personale, u nxorën në postërat që shpërndau grupi Patrulla e Popullit, thotë REL.
“Varini në pemë”, ishin thirrjet e tyre shokuese.
Grupi i akuzon ata të gjashtë për përfitime duke siguruar strehim të paligjshëm për emigrantët.
“Ky është një qytet i vogël. Dhe, kur dikush ju etiketon kështu, kjo është një gjë e madhe”, thotë Sevo për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Qyteti i Somborit ka rreth 80,000 banorë. Policia tha se po heton ngjarjen, por, ndërkohë, Sevo u detyrua të mbyllë hotelin e tij.
Sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), Serbia strehon aktualisht rreth 5,000 refugjatë dhe emigrantë.
Ky vend ndodhet në të ashtuquajturën Rrugë Ballkanike, e cila përdoret nga emigrantët dhe refugjatët që i largohen konflikteve, vështirësive dhe persekutimeve.
Numri i emigrantëve që hyjnë ilegalisht në Bashkimin Evropian, duke kaluar Ballkanin Perëndimor, pothuajse është dyfishuar këtë vit, ka thënë në muajin gusht agjencia kufitare e BE-së, Frontex.
Shumica e tyre janë nga Siria dhe Afganistani. Në Sombor, jo shumë larg kufirit me vendet anëtare të BE-së, Kroacinë dhe Hungarinë, refugjatët dhe emigrantët janë vendosur në një qendër shtetërore, që nuk ka kapacitet t’i përballojë numrat.
Bujtinat private, si ajo e Sevos, janë shtuar për të mbushur boshllëkun dhe kjo gjë nuk u pëlqen ekstremistëve të krahut të djathtë.
Top Channel