Manchester United në krizë rezultatesh. “Djajtë e Kuq” pësuan humbjen e dytë në tri ndeshjet e fundit në Premier League, këtë herë përballë Leicester City-t, në “King Power Stadium”, me rezultatin 4-2.
Edhe pse kaloi e para në epërsi me golin e Greenwood që në minutën e 19-të, skuadra e drejtuar nga Ole Gunnar Solskjaer nuk ia doli të ruante rezultatin. Tielemans barazoi shifrat sapo u mbush gjysmë ore lojë, ndërsa Soyuncu përmbysi rezultatin në 2-1 në minutën e 78-të. Në fakt, fundi i sfidës rezultoi emocionues, pasi United barazoi me Rashford në të 82-tën dhe vetëm një minutë më vonë, sulmuesi veteran, Jamie Vardy befasoi “Djajtë e Kuq” me golin e tretë për vendësit, ndërsa në shtesë vulosi fitoren 4-2 të “Dhelprave” Daka.
Nuk bën blof Manchester City, që iu imponua 2-0 Burnley-t me gola të B. Silvas dhe Kevin de Bruyne, duke ruajtur diferencën prej vetëm një pike me Liverpoolin kryesues.
Fitore e pabesueshme e Wolves, që nga 2-0 fitoi 2-3 në fushën e Aston Villas me të gjithë golat e sfidës të shënuar në pjesën e dytë. Vendësit kaluan në epërsi të dyfishtë me Ings dhe McGinn, por “Ujqërit” reaguan fillimisht me Saiss dhe Coady dhe në shtesë Neves realizoi golin e përmbysjes së madhe. Takimi i vetëm pa gola ishte ai mes Norwichit dhe Brightonit.
Top Channel