
Burime qeveritare pohuan për BBC se personi i arrestuar në lidhje me vrasjen e ligjvënësit britanik David Amess që tronditi një ditë më parë Mbretërinë e Bashkuar, është shtetas britanik, por me origjinë nga Somalia.
Hetimet vazhdojnë, por gjasat më të mëdha janë që sulmi të ketë sfond terrorist, sipas zyrtarëve vendas të policisë.
“Verifikimet e para nxjerrin në pah një motiv potencial të lidhur me ekstremizëm islamik”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Policia Metropolitane.
Deputeti 69-vjeçar, u qëllua disa herë me thikë në një kishë në Eseks, nga i riu që u hoq sikur ishte pjesë e takimit me votuesit që Amess po zhvillonte në zonë .
Shefi rajonal i policisë Ben-Julian Harrington, u shpreh se ligjvënësi ka qenë “thjesht duke kryer detyrën e tij kur i është marrë jeta në mënyrë të tmerrshme”.
25-vjeçarit të ndaluar për vrasjen, iu gjet me vete edhe thika. Amess, baba i pesë fëmijëve, ishte ligjvënës nga viti 1983. Në 2015-ën ai u nderua për shërbimin e tij nga Mbretëresha britanike Elizabeta II, e cila i dha titullin Sir David.
Në Parlamentin britanik, flamujt janë ulur në gjysmë-shtizë, ndërkohë që kanë lindur shumë pyetje në vend lidhur me sigurinë e ligjvënësve.
Top Channel