Bullizmi nis në familje/ Psikologët: Prindërit bullizojnë fëmijët duke u dhënë modelin e keq

16/10/2021 19:46

Bullizmi është dhunë fizike apo psikologjike, ose edhe të dyja bashkë. Në shoqërinë tonë po hasim jo vetëm raste të bullizmit mes fëmijëve dhe adoleshentëve , por edhe të prindërve vetë ndaj fëmijëve të tyre.

Almeida Xhaferi: Bullizmi nuk vjen papritur dhe papandehur. Së pari ai modelohet me sjelljet brenda mjedisit familjar, ku prindërit bëjnë krahasime të papërshtatshme midis fëmijëve të tyre apo të tjerëve përreth që mund të jenë anëtarë të komunitetit nga shtresa vulnerabël, dhe kështu që fëmija edukohet për të stigmatizuar personat që janë të pabarabartë.

Nga ana tjetër jetojmë në një shoqëri që imponon të bukurën, dhe prindërit dashur padashur, në pavetëdijen e tyre kërkojnë një formë perfekte të fëmijës. Të jetë talent, të shpërthejë në një fushë të caktuar, të jetë më i miri i të gjithëve. Kjo do të bëjë që fëmija do të bindë veten që unë nuk bëj, unë jam i shëmtuar, unë jam i shëndoshë, jam jo i mirë sa duhet për të qenë pjesë e një komuniteti dhe do të kthehej kështu në një boomerang në shëndetin psikologjik dhe emocional të fëmijës.

Fëmijët tanë do t’i shpëtonim nga bullizmi duke investuar në këtë trekëndësh, mjedisi shkollor, prindërit dhe komunikimi i shëndetshëm me fëmijën.

Ajo që është shqetësuese është që shikojmë raste kur në prani të prindërve persona madhorë bullizojnë fëmijët dhe prindërit nuk bëjnë asnjë lloj reagimi. Prindërit ndoshta nuk kanë informacionin që komunitete të caktuara kanë profesionistë të shëndetit mendor, ku duhet të trokasin për t’u këshilluar, nëse ata vetë mund të bëjnë diçka për të patur një qasje të shëndetshme, për të zgjidhur këtë lloj problemi dhe të kuptojnë që është përgjegjësi e tyre ta mbrojnë fëmijën, ta duan dhe ta pranojnë ashtu siç është. Fëmijët janë pasuria më e madhe shpirtërore që ne kemi dhe ata nuk mund të jenë aset vaniteti për asnjë dhe për asgjë në botë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA