Pas mbledhjes së kryesisë së PS, kryeministri Edi Rama ka dalë në një deklaratë për media ku foli për një vijë të kuqe për të gjitha punësimet partiake në administrate.
Punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, theksoi kryeministri, i cili shtoi se do të kalohet në një nivel të ri të cilësisë së administratës.
Rama: PS ka nisur punën për zgjedhjet e ardhshme dhe njëkohësisht për një proces tjetër të ri transformimi të brendshëm dhe hapje. Në bazë të disa vendimeve puna në territor do të zhvillohet paralelisht për analizat e rezultateve qendër për qendër, për të verifikuar cilësinë e përfshirjes së gjithë anëtarëve të PS në zgjedhje në raport me rezultatet dhe për ta hapur partinë për prurje të reja nga shoqëria, pavarësisht moshës, për të krijuar një bazë të re.
Ajo që do nënvizoja si shumë të rëndësishme është që një vijë e kuqe e cila është vendosur fort në kongresin e partisë dhe do të thellohet në vijimësisë është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS por e popullit shqiptar dhe janë funksion i qeverisë dhe i gjithë strukturave ekzekutive të Republikës së Shqipërisë. Ta kenë të gjithë të qartë kjo nuk është propagandë por vija ndarëse që do na garantojë kalimin në një nivel tjetër të vetë cilësisë dhe qasjes së administratës në raport me publikun.
Nëse në shërbimin civil kemi garantuar që proceset e rekrutimeve kalojnë në kanale ligjore përmes konkursesh të cilat janë procese me integritet dhe si rezultat shumë njerëz kanë mundur të marrin atë që ju takon, në pjesën tjetër të administratës kemi një problematikë serioze të trashëguar në 30 vjet. Duhet ta qasim me forcë dhe vendosmëri, kjo është e prerë dhe do të angazhohemi të gjithë.
Nuk hyj në thashetheme që dalin rrugëve dhe që marrin forma nga më të ndryshmet nga mbledhje që kanë përmbajte krejt tjetër. Deputetet janë aty për ti shërbyer komuniteteve, popullit, për të çuar të gjitha mesazhet e nevojshme te njerëzit, për të dëgjuar njerëzit dhe për të sjellë në grupin parlamentar, në veshët e të gjithë anëtarëve të qeverisë shqetësimet e njerëzve. Deputetët s’janë as punëdhënës as zyra pune dhe kjo do jetë një vijë e kuqe. Proceset si do organizohet puna e shtetit dhe se kush merr përgjegjësi në administratë janë procese që rregullohen nga liderët e qeverisë nuk u takon deputetëve.
Kjo përgjigje erdhi pasi baza e PS në Shkodër është ankuar se punësimet në këtë qark i ka marrë PSD.
Top Channel