Shumica socialiste depozitoi në kryesinë e Kuvendit projektligjin për ndryshimin e nenit 179 të kushtetutës për ta shtuar kohëzgjatjen e veprimit të organeve të vetingut në drejtësi.
Balla: T’i hapim rrugë zgjatjes së mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionereve Publikë, si niveli i parë i procesit te Vetingut, duke e shtyre procesin e Vetingut pra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deri me 31.12.2024, duke shtuar edhe 30 muaj të tjera, të cilat unë besoj se janë të mjaftueshme për ta përmbyllur procesin e Vetingut.
Edhe kryeministri Edi Rama foli për këtë çështje.
Rama: Reforma në drejtësi nuk është kërkesa partiake, reforma në drejtësi është kërkesë historike, është kërkesë kombëtare, është kërkesë e të gjithë fëmijëve të këtij vendi, qofshin fëmijët e socialistëve, qofshin fëmijët e demokratëve. Ndërsa të tjerat janë të gjitha çështje që patjetër mund të diskutohen, ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo gjë me Partinë Demokratike, e kam thënë që ditën e parë, por njëra me tjetrën nuk kanë lidhje fare.
Tashmë që projektligji është depozituar topi është në fushën e PD votat e cilës duhen për këtë ndryshim kushtetues. Për momentin selia blu nuk e ka një qëndrim për këtë propozim.
Top Channel