Misioni i Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë, është misioni më i gjatë dhe “padyshim më i suksesshmi”, deklaroi komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc Kajari.
Ushtaraku i lartë nga Hungaria e mori detyrën nga gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Franco Federici.
Kajari theksoi se misioni i KFOR-it ofron paqe, siguri dhe stabilitet për Ballkanin Perëndimor.
“Që prej fillesave të tij në 1999, KFOR-i ka fituar respektin dhe njohjen nga të gjitha palët në Kosovë si një mision i paanshëm dhe si mision i aftë ushtarak, që është i gatshëm të veprojë kurdoherë të jetë e nevojshme, për të ruajtur paqen dhe sigurinë”, u shpreh Kajari.
Në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, në KFOR aktualisht shërbejnë rreth 4,000 ushtarë.
Mandati i KFOR-it, për të ofruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, rrjedh nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila u miratua në vitin 1999.
Top Channel