Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton është shtruar në spital për një infeksionin që nuk lidhet me Covid 19 njoftoi zëdhënësi i tij, Angel Urena, sipas të cilit ish kreu i Shtëpisë së Bardhë ndodhet në një klinikë të Kalifornisë por nuk dha më shumë detaje.
Clinton, 75 vjeç, është në “gjendje të mirë shpirtërore” dhe “shumë mirënjohës ndaj mjekëve, infermierëve dhe stafit”, tha zëdhënësi.
CNN, sakaq raporton se Clinton është i shtruar në terapi intensive, megjithatë kjo që është bërë, duket më shumë për t`i krijuar sa më tepër privatësi.
Edhe pse nuk është e qartë se çfarë çoi në shtrimin e tij në spital, Clinton ka pasur disa herë probleme me sëmundjet kardiake.
Një deklaratë nga mjekët e tij tha se ai ka marrë antibiotikë dhe lëngje.
“Pas dy ditësh trajtimi, numri i qelizave të bardha të gjakut po zvogëlohet dhe ai po u përgjigjet mirë antibiotikëve”, thanë mjekët, për të shtuar se Clinton do të mbetet në spital për “monitorim të vazhdueshëm”.
Clinton ka shërbyer si presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara, nga viti 1993 deri më 2001, por për shqiptarët ai do të mbetet presidenti amerikan që pati rolin kyç në bombardimet e Nato-s që sollën fundin e luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë.
Top Channel