Avokati i kompanisë ‘Alba Exotic Fruit shpk”, përmes një shkrese ka kërkuar ndihmë nga ana e autoriteteve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me caktimin e masës së arrestit me burg për pronarët e kësaj kompanie, Eduart Dauti dhe Barjon Gumeni, të dyshuar si të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Përmes një shkrese, të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, drejtuar ambasadores Yuri Kim avokati kërkon mbrojtje, siguri dhe bashkëpunim me struktura të specializuara të SHBA-së, që me anë të hetimeve të dalë në dritë e vërteta.
Kujtojmë se pas informacioneve që policia kishte marrë, më datë 13.07.2021 në portin e Durrësit ka ndaluar kontejnerin me banane të kompanisë ‘Alba Exotic Fruit” dhe në pjesën e ventilimit është gjetur një sasi kokaine rreth 10 kg.
“Kjo ka shërbyer që SPAK të caktojë masa sigurimi ‘arrest me burg’ për drejtuesit dhe pronarët e kompanisë dhe që nga ajo ditë kjo kompani gjendet nën terror të plotë mediatik e psikik, i linçuar dhe shkatërruar totalisht në imazh dhe veprimtari tregtare, dhe pas asnjë mbrojtje e siguri në biznesin e saj”, thuhet në shkresën drejtuar Yuri Kim.
Sipas avokatit SPAK nuk ka kryer verifikimet, investigimet apo hetimet për këtë ngjarje dhe shton më tej se aksesori i ventilimit të kontejnerit ku edhe u gjend lënda narkotike është në pronësi të shoqërisë transportuese ‘Maersk’, shoqëri e cila ka lidhur një kontratë për transport me kompaninë ‘Alba Exotic’.
Në dokumentin e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, avokati thotë më tej se kompania ‘Alba Exotic’ ka në pronësi kontejnerët dhe mbajnë nën kontroll pjesën e kondicionimit të temperaturës për frutin dhe më tej shton:
“Janë një ndër subjektet që Konventa dhe ligjet e tjera specifike i ngarkojmë me përgjegjësi direkte, nga momenti kur merret fruti nga subjekti i shtetit niset, deri tek dorëzimi te subjekti pritës, më tej kjo përgjegjësi shkon për kapiteri portesh, anijesh dhe autoriteteve portuale dhe policinë e sigurimit portual Durrës, dogana, etij. Dhe të fundit që mund të penalizohen në këtë varg përgjegjësi është kompania jonë, nisur nga detyrimi që kanë sipas konventë së kodit detar, atij doganore një sërë ligjesh të tjera”.
Më tej, në shkresën drejtuar ambasadores Kim, avokati shkruan se pak muaj para se të ndodhte kjo ngjarje kompania ‘Alba Exotic Fruit’ ka kërkuar nga SPAK ndihmë dhe mbështetje për rritjen e eficencës në sistemin e kontrollit dhe sigurisë gjatë zhdoganimit të kontejnerëve.
Avokati risjell në vëmendje edhe operacionin e kryer nga DEA, ku u sekuestruan 137 kg kokainë në konteineret ku transpotohej fruti i ‘Alba Exotic Fruit’ dhe u finalizua me sukses duke çuar pas hekurave autorët. Pas kësaj ngjarje kompania ka financuar me paratë e buxhetit të saj për të përdor metoda dhe teknika në mënyrë që të rritje siguria.
“Dora kriminale nuk e ndaloi veprimtarinë e saj vetëm me episodin e datës 13.07.2021’ njëherazi me datë 17.07.21 në kontenierin e radhës të frutit të kompanisë, përsëri në pjesën e ventilimit u kap një sasi rreth 7 kg, të dyshuara si kokainë, por këtë herë trafikantët duke tentuar të marrin këtë sasi kishin humbur edhe kapakët e ventilatorëve të këtij kontenieri, që përbën veprim të dukshëm kriminal na njëra anë të autoriteteve përkatëse dhe kategorik përjashtues të dyshimit të kompanisë tonë nga anë tjerë dhe përgjegjshmëri të plotë të agjencisë ligjzbatuese që nga kapiteneria e anijes, kapiteneria e porteve, shoqërua transportuese ‘Maersk’, apo autoriteteve portuale”, thuhet më tej në shkresë.
E pas këtyre ngjarjeve, saga vazhdon sërish, ku më datë 26 dhe 29 korrik u gjetën sasira 5 deri në 7 kg kokainë te pjesa e ventilimit, dhe po ashtu edhe më datë 12.10.21.
Në përmbyllje të letrës drejtuar ambasadores Kim:
“Duke vlerësuar në maksimum rolin dhe përkushtimin tuaj dhe shtetit model të demokracisë dhe rendit botëror që ju përfaqësoni , duke e ditur se jeni vendosur në krye të luftës kundër krimit të organizuar, terorizmit dhe narkotrafikut dhe njëherazi duke çmuar me shumë mirënjohje rolin primar, udhëheqjes së reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit. Na ndihmoni me autoritetin tuaj në zbardhjen e situatave që po ndodhin në portin e Durrësit. Ju bëjmë me dije e nderuar Ambasadore se me këto masa ekstrem represive, si paraburgime dhe arrestime të padrejta që u është bërë pronarëve të kompanisë, veçanërisht nga mënyrë se si është gjetur mekanizmi dhe veprimit, krahas krimit të organizuar që mund të ketë fillesën nga vendi ekzotik, ky mekanizëm kriminal përshkon një rrugë të gjatë në oqean, ndalon tek Porti i Pierut dhe mbyll qarkun në Portin e Durrësit, në këtë ‘maskaradë’ nuk përjashtohet mundësia që rrjeti i trafikantëve të jetë lidhur me krimin e konkurrencës, që nëse vërtetohet kjo lidhje në bindjen tonë, ka edhe autoritetet të veshur me pushtet në shtetin shqiptar në këtë veprimtari të rrjetit të trafikimit!”.
Top Channel