Certifikata Covid bëhet e detyrueshme/ Shpërthejnë grevat, bllokohet porti i Triestes

15/10/2021 16:47

Nga sot certifikata shëndetësore COVID-19, është bërë e detyrueshme për të gjithë punëtorët në Itali, dhe ashtu siç pritej, indinjata shpërtheu si fillim, në formën e grevave bllokuese.

Punonjësit e portit të Triestes ishin të parët që protestuan në këtë formë kundër Green Pass-it që tregon nëse individët janë imunizuar me vaksinën Covid, nëse janë shëruar nga kjo sëmundje apo kanë një test negativ.

Rreth 2.000 punëtorë u mblodhën në hyrje të portit, që është një nyje e rëndësishme për veriun e Italisë, por edhe më tej për Gjermaninë, Austrinë dhe Evropën Qendrore.

Llogaritet që gati 3 milionë punëtorë italianë nuk e kanë marrë ende vaksinën kundër koronavirusit.

Në Trieste, 40% e 950 punonjësve të portit, janë të paimunizuar. Kolegë të tyre në porte të tjerë, përfshirë atë të Gjenovës, kanë kërcënuar me veprime të ngjashme.

Vendimi për ta bërë certifikatën të detyrueshme është një nga masat më të ashpra në botë kundër sëmundjes. Punëtorët që nuk janë të pajisur me Green Pass në Itali rrezikojnë pezullimin nga puna e gjobitjen me deri në 1,500 euro.

Sipas një sondazhi të kryer nga qendra Ipsos, dy të tretat e italianëve mendojnë se një certifikatë e tillë është e nevojshme. Megjithatë, kundërshtarët e saj kanë organizuar më herët protesta në Romë, ndërsa priten edhe tubime të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA