Policia e Beratit ka goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike të ndarë në doza dhe në kuadër të këtij operacioni ka vënë nën pranga një 56-vjeçar.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Berat, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, ku si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Bashkim Rama, 56 vjeç, banues në lagjen Kushtrim, Berat”, thuhet në njoftimin e policisë.
Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike kokainë.
Gjithashtu po nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në vijim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi i shtetasit B.D., 46 vjeç, banues në lagjen 30 Vjetori, Berat, pasi gjatë kontrollit në dyqanin e tij “Tabacino”, ju gjetën disa paketa cigare pa pullë fiskale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Top Channel