Ngritja e Komisionit Hetimor për “Becchettin”, Balla: PD në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare, po përdoret nga palë të treta

14/10/2021 16:05

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla këtë të enjte deklaroi se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen “Becchetti” është në kundërshtim me ligjin. Në fjalën e tij, Balla hodhi dyshime se PD po përdoret nga palë të treta, në kurriz të interesave të Shqipërisë.

Kreu i grupit socialist tha se mazhoranca ka shprehur vullnetin e plotë për ngritjen e dy komisioneve të tjera dhe parimisht nuk do të kishte asgjë kundër me asnjë lloj komisioni hetimor, i cili do të respektonte parimet kushtetuese, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk do të cënonte dhe rrezikonte interesat e Republikës së Shqipërisë.

Arbitrazhi, sipas kuadrit rregullator ndërkombëtar si dhe praktikës tashmë të konsoliduar, konsiderohet si një metodë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Në ndryshim nga procesi gjyqësor “klasik” i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, arbitrazhi ka një tipar veçanërisht dallues të mënyrës së zhvillimit të tij, që është konfidencialiteti”, tha Balla.

Sipas tij, të gjitha proceset ku është palë Republika e Shqipërisë në juridiksionet ndërkombëtare dhe që kanë lidhje direkte apo indirekte me objektin e kërkesës për hetim, janë konfidenciale dhe, rrjedhimisht nuk mund të bëhen publike të dhënat e rrjedhura, apo prodhuara prej tyre, duke përfshirë por pa u kufizuar, edhe vendimmarrjet përkatëse.

Balla tha se konfidencialiteti i këtyre proceseve është detyrues bazuar në sa më poshtë:

  1. Konventa ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë;
  2. Vendime të trupave ndërkombëtare, gjyqësore apo arbitrazhi (si psh GjEDNj);
  3. Dakordësi ndërmjet palëve ndërgjyqëse

Për të çdo shkelje e konfidencialitetit përfaqëson automatikisht shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke u pasuar në të njëjtën kohë me dëmtim/rrezik të konsiderueshëm financiar ,por jo vetëm, të interesave të Republikës së Shqipërisë si dhe penalizim të profilit publik dhe privat në sferën ndërkombëtare.

Ai tha se kërkesa e paraqitur nga një grup deputetësh të PD për ngritjen e këtij komisioni hetimor është në shkelje të hapur të konfidencialitetit, pasi i përmbahet dhe citon paragrafe të një vendimi i cili gëzon mbrojtje strikte konfidencialiteti.

Balla gjatë fjalës së tij, ngriti edhe tre pyetje, të cilat vijojnë si më poshtë:

  1. “Si dhe kush ia ka vendosur në dispozicion PD-së vendimin në fjalë, duke qenë se ai është konfidencial dhe pjesë të tij citohen në kërkesën për ngritjen e komiisonit hetimor, duke respektuar edhe presjen?!
  2. A mundet një subjekt politik, i cili funksionin mbi bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, të shkelë parimin e konfidencialitetit dhe të vendoset në funksion të interesave të dyshimta që u shërbejnë palëve të interesuara në këto procese?!
  3. A është në konflikt interesi, apo duke lobuar PD në funksion të interesave private dhe në kurriz dhe kundër interesave thelbësorë të RSh?!

Ai tha se nuk e ka në synim të ngrejë asnjë akuzë, por në kushtet e një kërkese naive, PD po shkel rëndë parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Por, që të jemi realistë dhe jo naivë, duke patur parasysh pasionin e zjarrtë të lidershipit të PD për t’u përfshirë dhe përthithur nga interesa financiare private, mendojmë se jemi para një situate, ku një subjekt politik po shfrytëzohet për t’i shërbyer përfitimeve të paligjshme, në kurriz dhe dëm të interesave të RSH”, tha ai.

Ai akuzoi Partinë Demokratike se po u shërben interesave të palëve të tjera të interesuara, por në asnjë rast interesave të vendit.

Në rastin e prezumimit të naivitetit, ku qasja do të ishte jo vetëm në kundërshtim me ligjin por edhe amorale dhe jo etike, deputetët firmëtarë të kërkesës për ngritjen e komisionit, do të duhej të plotësonin deklaratën e konfliktit të interesit, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe nenin 13 të  Kodit të Etikës, ose të kenë kurajon dhe të deklarohen si lobues apo hallka kontakti midis grupeve lobuese dhe subjekteve private (duke përfshirë por pa u kufizuar, palët e interesuara në proces), në përputhje me nenin 21 të Kodit të Etikës së Deputetit”, tha Balla.

Sipas tij, PD po vepron me qëllim duke u shërbyer interesave private në dëm të interesave të RSH, duke theksuar se më këtë veprim po shkohet përtej shkeljes të së drejtës ndërkombëtare, moralit dhe etikës, duke u shndërruar katërcipërisht në një qasje kriminale, gjë që do të ishte shumë e rëndë dhe që nuk do e dëshironte kurrë për opozitën e vendit.

Balla tha se kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor shkel parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetit të së drejtës dhe prezumimit të pafajësisë

Sipas tij, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar qartë kuadrin e funksionimit dhe objektin e punës së Komisioneve Hetimore, të cilat në asnjë rast nuk duhet te cedojnë nga zbatimi i parimeve kushtetuese.

Është fakt që në një seri juridiksionesh ndërkombëtare, të huaja por edhe brenda juridiksionit shqiptar ka procese penale dhe civile, që nuk kanë përfunduar ende, dhe ngritja e komisionit hetimor të kërkuar, do të ndikonte konsiderueshëm në [keq]zhvillimin dhe mbarëvajtjen e këtyre proceseve, duke u përdorur, keqpërdorur, nxjerrë nga konteksti etj, me pasoja shumë të dëmshme për RSH”, tha ai.

Top Channel