Nëntë raste të vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar në vendin tonë, ndërsa janë arrestuar 2 persona në Tiranë dhe Lezhë.
Gjithashtu janë vënë nën hetim 7 qytetarë në Shkodër dhe një faturist i OSHEE-së, për shpërdorim detyre.
Policia e Shtetit
Vijon puna nga strukturat e Policisë së Shtetit, për parandalimin e vjedhjes së energjisë elektrike. Si rezultat i kontrolleve të përbashkëta me OSHEE-në janë evidentuar 9 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, në Tiranë dhe në Lezhë, si dhe procedohen 7 të tjerë në Shkodër. Gjithashtu, procedohet dhe një faturist i OSHEE-së, për shpërdorim detyre. Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin, kanë vijuar kontrollet në bashkëpunim me OSHEE-në, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të vjedhjes së energjisë elektrike.
Si rezultat, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., banues në Bathore, pasi kishte ndërhyrë në matësin elektrik të marketit të tij, me qëllim për të vjedhur energjinë elektrike.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Ll. Sh., banues në Tale, Lezhë, pasi u konstatua se kishte bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesën e tij.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër janë proceduar penalisht shtetasit: G. A., E. B., L. H., Gj. Sh., L. H., S. P. dhe M. P., pasi gjatë kontrollit është konstatuar se kishin bërë ndërhyrje në matësin elektrik në banesat e tyre.
Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Xh. N., banues në Milot, Kurbin, më detyrë elektricist/faturist pranë OSHEE-së, pasi nuk ka kryer kontrolle periodike për lidhjet e energjisë elektrike, në zonën që mbulon.
Strukturat e Policisë do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë në cilëndo fushë që ajo shfaqet.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.
Top Channel