Gjashtë efektivë të policisë së Kosovës kanë plagosur, dhjetë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërsa tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në komisariate: ky është bilanci i reagimeve të ashpra ndaj aksionit kundër kontrabandës të ndërmarrë nga Policia dhe Dogana e Kosovës në disa rajone të vendit, përfshirë veriun, por që në Mitrovicën e Veriut dhe Zvecan, u prit me zemëratë e me dhunë.

REL mësoi se 10 serbë kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor; më pas tetë prej tyre janë nxjerrë nga spitali ndërsa dy të tjerë kanë qëndruar atje e po mbahen nën vëzhgimin e mjekëve. Të lënduarit kanë pasur probleme kryësisht nga plumbat e gomës e gazi lotsjellës.

Serbët lokalë reaguan shpejt ndaj aksionit policor, e marshuan drejt forcave të policisë duke i goditur me sende të forta. Në afërsi të “Lagjes së Boshnjakëve” u vendosën kamionë në njërën nga rrugët kryesore që lidhin pjesën jugore me atë verirore të qytetit. Edhe pasi turmat u shpërndanë në Mitrovicën e Veriut, tensionet vazhduan në Zveçan. Mësohet se banorët lokalë në veri të Kosovës kanë penguar dhe gazetarët që të raportonin prej andej.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell kërkoi që “incidentet e dhunshme në veri të Kosovës të ndalen menjëherë”. Sipas tij, veprimet “e njëanshme dhe të pakoordinuara” që vënë në rrezik stabilitetin janë “të papranueshme”, deklaroi ai ndërsa shtoi se të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Top Channel