Universitetet private po konkurrojnë institucionet e arsimit të lartë publik.
Kërkesat për arsimimin në privat janë më të larta krahasuar me vitet e mëparshme.“Nuk e kapa dot në shtet me pikët dhe kalova në privat. Këtu janë kushtet më të mira besoj”
Sipas ekspertëve të karrierës dhe punësimit, trendi i regjistrimit të maturantëve në institucionet arsimore private është në rritje, rreth 3% më shumë se vjet.
Erion Muça- ekspert karriere dhe punësimi: Rreth 26% janë regjistruar në institucionet e arsimit jopublik të lartë, kjo edhe për avantazhin se zgjedhin degën e ëndrrave të tyre pasi në shtet nuk e kapin dot në bazë të mesatares së fituar nga 3 vite gjimnaz.
Me mbylljen e raundit të dytë në 9 tetor lista e programeve të studimit më me interes për maturantët dhe ato më pak të pëlqyera është e qartë.
“Maturantët kanë zgjedhur degët më afër tregut të punës, shumë kërkesë për teknologji informacioni si dhe vijon tradita për degët e mjekësisë që janë zgjedhjet e para të maturantëve. Ka pasur mungesë interesi për programet e mësuesisë por edhe për shkencat politike dhe degën e filozofisë”
Ndërkohë që nga 12-14 tetor mbetet mundësia e fundit për aplikimin universitar me 10 programe preferenciale studimi në varësi edhe ku kanë mbetur kuota të lira, e që pritet që numri i regjistrimeve në privat të shtohet edhe më tej.
Top Channel