“Plas”në veri të Kosovës, serbët djegin makinën e policisë-mbi turmën gaz lotsjellës

13/10/2021 13:40

Nuk ka ende qetësi në veri të Kosovës; banorët lokalë janë ngritur në protesta pasi kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Ata kanë djegur një makinë të policisë e zona është mbushur me gaz lotsjellës. Disa media lokale thonë se kundër forcave të rendit është qëlluar dhe me armë zjarri, por kjo ende nuk është konfirmuar.

Aksioni i policisë, që ende po vazhdon është shtrirë në disa rajone në Kosovë, përfshirë Mitrovicën e Veriut dhe të Jugut, Prishtinë dhe Peje. Sipas autoriteteve të rendit, aksioni nisi në orët e para të ditës dhe po vazhdon vendi.

Deri tani janë sekuestruar një sërë mallrash, të cilat dyshohen se janë kontrabandë. “Të gjitha veprimet policore po kryhen në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u zhvilluar kontrolle dhe bastisje në objekte të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Reporterët e REL në Mitrovicën e Veriut raportojnë se në këtë komunë gjatë gjithë kohës dëgjohen sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoambulancave.

Top Channel