Kritikat e FMN për financat/ Ekspertët: Duhen mbështetur shtresat që preken nga rritja e çmimeve

13/10/2021 15:03

Kritikat e FMN-së të lëshuara një ditë më parë për qeverinë janë një kambanë alarmi të evidentuara më herët edhe nga ekspertët vendas.

Arben Malaj, ish-ministër i Financave shpjegon se mosreagimi ndaj rekomandimeve të organizmave ndërkombëtarë që vënë theksin te mbështetja e shtresave në nevojë apo rishikimin e politikave fiskale po e bëjnë situatën shqetësuese në vend.

Sipas tij, përjashtimet tatimore kanë krijuar gropa të mëdha në buxhet dhe financat publike janë nën presion të madh si pasojë e krizës duke rrezikuar borxhin.

 “Kostot e rritura të parave si për tërmetin, pandeminë apo dhe në rastin e rritjes së çmimeve janë një presion mbi borxhin që arrin nivele kritike. Komenti kryesor për të gjitha reformat, edhe për mosbërjen e amnistisë edhe për politikat e taksave për përjashtime që janë gropa të zeza të financave. Nëse ne themi se do ulim TVSH-në për gjithë shqiptarët të ardhurat do bien dhe ku do t’i gjejmë burimet, përmes borxhit? Nëse ne themi se do t’i ndihmojmë të varfërit në krahun e shpenzimeve  nuk e ulim TVSH, nuk i rrëzojmë të ardhurat e buxhetit, por duke rritur çmimet qeveritë fitojnë që pa rritur taksat marrin më shumë të ardhura.”

Teksa vendi gjendet përballë një krize energjie dhe një vale rritjesh të çmimeve, Malaj bën apel për mbështetje ndaj kategorive që preken më shumë prej tyre si dhe për rishikim të politikave lehtësuese.

“Me këto politika godasin burimet, godasin të ardhurat dhe kur ekonomia bie e borxhi rritet atëherë vihen në funksion paketat që ne i quajmë antikrizë që kërkojnë heqjen e të gjitha përjashtimeve në planin e të ardhurave dhe rritjen e tyre duke zgjeruar bazën ose duke rritur tatimet.”

Sipas ekspertit Malaj ekonomia ndodhet në një situatë të vështirë sa nga kriza globale aq edhe nga keqmenaxhimi i financave publike e në kushte të tilla shton ai nuk përjashtohet as mundësia për rritje të taksave për qytetarët në të ardhmen.

 

Top Channel