Sveçla e pohon: Ishim të përgatitur për “luftë” në veri të Kosovës!

12/10/2021 14:34

Ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se policia e saj ka qenë e përgatitur t`i largonte fizikisht barrikadat e vendosura në veri të vendit nga banorët serbë që kundërshtonin masat e reciprocitetit të targave.

Këto komente, ai i bëri kur u pyet nga deputetë të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje lidhur me problemet logjistike që ka hasur Policia e Kosovës gjatë bllokadës në veri. “Po e them për herë të parë se kemi qenë të përgatitur edhe fizikisht që t’i largojmë barrikadat.

Ishte çështje e vlerësimit operacional nga policia dhe politik nga qeveria që të zgjidhej rruga më e mirë e mundshme për heqjen e tyre, nuk ka pasur asnjë ngërç në përgatitjen logjistike”, deklaroi ai.

Në 20 shtator, Prishtina zyrtare mori vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërronin ose mbulonin targat e tyre dhe të merrnin regjistrim të përkohshëm vendas.  Jarinja dhe Bërnjaku, dy pikat e kalimit kufitar në veri – ku popullsia është shumicë serbe – u bllokuan nga banorët lokalë që e kundërshtonin vendimin për reciprocitet.

Por, përmes një marrëveshjeje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian më 30 shtator, palët janë pajtuar për shtensionim të situatës në veri dhe heqje të barrikadave të serbëve lokalë, ashtu si edhe të njësiteve speciale.

Top Channel