Ministri i brendshëm serb, Aleksandar Vulin, deklaroi se ushtria dhe policia e Serbisë do të marrin nga Rusia armët dhe pajisjet ushtarake më të fundit.

Mediat në Kosovë citojnë një intervistë të Vulinit për agjencinë RIA Novosti, ku ministri sqaronte se marrëveshjet dhe kontratat e lidhura më parë me Moskën, do të bëhen “shumë më të forta”.

“Nuk mund të flasim për këtë derisa të ndodhë, por është absolutisht e sigurt se ushtria dhe policia do të blejnë teknologjitë më moderne, përfshirë ato të prodhuara nga Federata Ruse”, është shprehur ai.

Vulin përsëriti se Serbia nuk do të bashkohet me NATO-n dhe nuk do t’i mbështesë sanksionet kundër Rusisë.

“Për sa kohë që Aleksandar Vuçiç është president i Serbisë dhe përderisa unë të jem në strukturat e sigurisë, Serbia nuk do të bëhet anëtare e NATO-s”, u shpreh ai duke shtuar se “ historia ka treguar se çdo rusofobi është edhe serbofobi. Nuk ka ndodhur që dikush ta sulmojë Rusinë pa e sulmuar Serbinë, ky është rregulli”, ishte komenti i tij.

Top Channel