Tiranën e vizitoi drejtori ekzekutiv i kompanisë Pfizer Albert Bourla,  i  cili bashkë më kryeministrin Edi Rama dhe ministren e shëndetësisë Ogerta Manastirliu në QSUT panë ambientet e ruajtjes së vaksinave prodhuar nga kjo kompani, e më pas ndoqën procesin e vaksinimit në Air Albania.

Në një intervistë për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu,  CEO i  Pfizer, Albert Bourla fillimisht komenton vijueshmërinë e vaksinimit në vendin tonë krahasuar me rajonin dhe vendet e tjera në botë.

Albert Bourla: Në rajon Shqipëria është duke ecur shumë mirë ndërsa për sa i përket Europës është duke bërë progres. Europa është më mirë me këtë proces nëse e krahasojmë me të gjithë botën. Unë mendoj se këtu është bërë një punë e shkëlqyer. Jam krenar që vaksina jonë këtu po luan një rol të rëndësishëm.

Muhamed Veliu: Deri në fund të këtij viti sa doza të tjera Pfizer pritet të sjellë në Shqipëri?

Albert Bourla: Ne jemi duke biseduar tani për më shumë 1 milion doza. Për këtë vijojnë diskutimet edhe tani.

Muhamed Veliu: A i keni sugjeruar qeverisë shqiptare, nisjen e vaksinimit me dozën e tretë me Pfizer për personat që tashmë kanë marrë dy doza?

Albert Bourla: Nuk është në rolin tim për të bërë një sugjerim të tillë. Janë autoritetet e shëndetësisë në vend që duhet ta marrin këtë vendim bazuar në të dhënat që ne paraqesim. Ne i kemi bërë publike të dhënat për sa i përket dozës së tretë,  tek autoritetet përfshi ato shqiptare për ta marrë një vendim.

Muhamed Veliu: Është e domosdoshme bërja e dozës së tretë?

Albert Bourla:  Ne besojmë se është e sigurt, është efektive dhe është e nevojshme. Shumë vende deri më tani e kanë përqafuar këtë rekomandim dhe doza shtesë është dhënë.

Muhamed Veliu: Gjatë një viti, një person sa doza vaksinë mund të marrë?

Albert Bourla: Tani skema e vaksinimit  është 1-4-6 që do të thotë, doza e parë në fillim e dyta në katër javë dhe e treta pas 6 muajve. Kjo është skema më e zakonshme e vaksinimit. Me rastet e Covid,  eksperienca nuk është shumë e madhe.  Nuk e dimë nëse efektshmëria e dozës së tretë është për një vit, dy vite pak apo më shumë. Është diçka që duhet ta shikojmë. Nëse do të hamendësoj mund t’u them se doza e tretë mund të ketë veprim për të paktën një vit, pas marrjes.

Muhamed Veliu: A po punoni në pasjen e një vaksine të re pasi Covid ka pësuar mutacione të shpeshta të cilat po i shikojmë çdo ditë?

Albert Bourla: Kjo që thoni është e drejtë. Shikojmë variante të reja për të cilat janë duke u marrë shkencëtarët. Ata janë duke bërë teste nëse këto variante mund të kalojnë sistemet tona të mbrojtura. Nëse është kështu do të përpiqemi të bëjmë një vaksinë të re të bërë në atë formë posaçërisht  këto variante. Deri më tani kemi bërë dy të tilla. E para ishte për variantin BETA me origjinë Afrikën e Jugut.Paçka se bëmë nuk e përdorëm pasi nuk ishte e nevojshme pasi kuptuam që vaksina aktuale mbron shumë mirë edhe variantin BETA. Për rastin e dytë me të cilin jemi duke u marrë është për variantin DELTA. Këtë e kemi në zhvillim e sipër. Jam i sigurt  99.9 % se nuk do të na nevojitet. Ne do ta përfundojmë programin por nuk do të duhet sepse vaksina aktuale mbron më së miri kundra DELTËS. Mbase një ditë varianti e kalon mbrojtjen dhe nëse ky do të jetë rasti atëherë ne do të jemi gati ta kemi vaksinën në 100 ditë.

Muhamed Veliu: Të gjithë ne bëjmë të njëjtën pyetje. Kur kësaj pandemie do t’i vijë fundi?

Albert Bourla: Mendoj se janë disa pyetje. E para kur virusi do të zhduket nga toka. Këtë nuk e di njeri por është diçka që do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Do të jetë vërdallë për vite. Është edhe një pyetje tjetër. Kur ne do t’i kthemi normalitetit të jetës pa ndalesa pa maska?. Tani që shumica popullsisë është e vaksinuar kjo është koha kur ne mund ti kthehemi jetës normale.

Muhamed Veliu: Si në shumë vende të botës edhe në Shqipëri shikojmë protesta kundra vaksinimit përfshi  konspiracione. Çfarë do t’i thoni këtyre njerëzve?

Albert Bourla: Siç edhe ju e thatë ne i shikojmë këto ngjarje. Ata janë njerëz të frikësuar në bërjen e vaksinës. Disa kanë frikë nga gjilpëra ose nga marrja vaksinës. Kjo frikë nuk është logjike e racionale. Është emocionale.

Nëse u flasim atyre me të dhënat do të kemi një impakt të pakët.  Ata janë njerëz të mirë të cilët ose janë të keq-informuar ose të frikësuar. Ajo që unë u them shumicës së këtyre njerëzve, gjë e cila i ka bërë atë të mendojnë është kjo. Vendimi për tu vaksinuar ose jo nuk ndikon vetëm në shëndetin tuaj. Do të ketë ndikim tek të tjerët e në mënyrë parësore tek shëndeti  të njerëzve që  ju i doni më shumë. Ata të cilët ju i përqafoni dhe puthni. Përpara se të lejoni frikën t’u ndalojë në bërjen e gjësë së duhur, mendoni dy herë dhe përdorni dashurinë për të dominuar  frikën.

Top Channel