​Seanca e radhës me 19 tetor, PDK kërkon debat parlamentar për gazsjellësin

11/10/2021 13:17

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rishqyrtojë vendimin sa i përket gazsjellësit, ka thënë shefi i deputetëve të kësaj partie, Abelard Tahiri.

“Vendi ynë po hyn në një krizë energjetike si rajoni dhe një pjesë e madhe e Evropës, alternativat janë të rëndësishme. Refuzimi nga qeveria i bën një dëm jashtëzakonisht të madh vendit në perspektivën tonë afatgjatë. Kosova nuk e ka luksin të refuzojë një projekt të tillë”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së kryesisë.

Ai ka thënë se në mbledhjen e radhës së kryesisë do të vendoset për debat parlamentar lidhur me gazsjellësin.

“Do të ketë debat, kryesia ka vendose që në mbledhjen e radhës së kryesisë te vendosë për seancën e radhës, padyshim që në mbledhjen e radhës të kryesisë do të vendoset për debat parlamentar për çështjen e gazsjellësit”, ka thenë Tahiri.

Pas mbledhjes së kryesisë në të cilën është deklaruar shefi i deputetëve të PDK-së, ai ka bërë te ditur se seanca e radhës do të mbahen të martën e javës se ardhshme.

Top Channel