Top Channel ka rikthyer në këtë sezon reality shown e dikurshëm “Big Brother Vip”, duke e cilësuar si një nga programet kryesore në strukturën e programacionit.

Klara Sinjari, nga Top Channel, shprehet se peshën kryesore në atë çfarë transmetohet në ekran e kanë prodhimet e vetë televizionit dhe një pakicë prej 10 për qind janë blerje të gatshme. Ajo nënvizon se sa u takon serialeve, është rritur interesi te publiku për ato amerikane. Këtë vit, pas pandemisë është rritur kërkesa e bizneseve për të reklamuar.

Prej dy vitesh po jetojmë nën efektin e pandemisë së COVID-19. Si janë ndikuar programacionet e televizioneve nga kjo situatë, në çfarë forme?

Situata e COVID-19 riktheu edhe më shumë vëmendjen ndaj televizioneve dhe përmbajtjes që ato përcjellin përmes programeve të ndryshme. Këto të fundit janë bërë më të dedikuara, më konkrete, duke shkuar sa më afër shijes dhe nevojave të publikut, me qëllim kryesor përfshirjen sa më të madhe të tyre.

Cilat janë emisionet e reja që do të shohim këtë sezon në Top Channel? Cilat janë emisionet bazë të strukturës që do të mbeten në ekran, të cilat kanë qenë edhe në sezonet e kaluara?

Emisionet e reja që do të nisin këtë sezon janë disa. Spektakli që ka pasur një pauzë prej 4 vitesh, “Big Brother”, rikthehet fuqishëm në Top Channel, por këtë herë, banorët e shtëpisë së famshme janë VIP-a. Kasti është përzgjedhur më shumë kujdes dhe do të moderohet nga prezantuesja e mirënjohur, Arbana Osmani. Do të ketë një përmbledhje javore çdo ditë, pa harruar forumin “Big Brother Fun Club”, i cili do të transmetohet çdo të diel, në orën 12:30. Pritet të ketë një nivel rekord shikueshmërie dhe kjo shihet edhe nga interesi i shikuesve që na shkruajnë çdo ditë për datën e fillimit dhe për detaje të tjera në lidhje me programin.

Shumë shpejt do të transmetohet seriali i parë shqiptar teen/drama “SNOB”, një bashkëpunim i Dalina Buzit/Anabel dhe “Nilor Film Production”. Është një prodhim autentik, me një kast të jashtëzakonshëm aktorësh të rinj dhe atyre me emër shqiptarë, me një dinamikë ngjarjesh, skenar dhe realizim filmik me standarde shumë të larta.

“Goca & Gra” është një tjetër format, i cili ka në fokus gratë dhe të gjitha problematikat apo kauzat që shoqërojnë ato. Programi nuk ka një moderator të mirëfilltë, por 4 personazhe vajza/gra në panel që janë: Fatma Haxhialiu, Olesia Leço, Krista Merkoçi dhe Tea Trifoni. Nëpërmjet diskutimeve dhe përvojave personale do të sjellin çdo javë në studio zërin e audiencës femërore, por jo vetëm.

“Balkan Project” është një format risi, ku gazetarja Ilnisa Agolli do të udhëtojë në Ballkan, jo vetëm për të gjetur rrënjët, padyshim duke nxjerrë në pah, këndin historik dhe turistik të vendeve kryesore të Ballkanit, por edhe ndikimin/kontributin e shqiptarëve përtej kufijve të Shqipërisë.

“Më thuaj një dëshirë”, e moderuar nga Fjoralba Ponari, me në qendër realizimin e dëshirave të fëmijëve, ka nisur transmetimin e sezonit të dytë çdo të shtunë, në orën 18:15, duke u nxitur nga ndikimi shumë pozitiv në sezonin e parë.

“Për`puthen”, programi që theu çdo parashikim dhe rriti kurbën e audiencës me mbi 500 milionë shikues në YouYube, si asnjë program tjetër në sezonin e tij të parë, edhe këtë vit do të jetë i përditshëm dhe çdo të shtunë vjen me “Për`puthen Prime”, në orën 21:00.

Programi maratonë “E Diell” do të ketë të përfshirë, përveç rubrikave të zakonshme, edhe disa të reja si “Shoku ynë Tili”, një talent show për fëmijë me fokus këngën dhe kërcimin, “Vip Dado”, ku për herë të parë, personazhet e famshëm shqiptarë do t’i shohim në rolin e dados; “Influencers”, të cilët do të propozojnë çdo javë përmes blogerëve, mënyra marketimi produkti në rrjetet sociale nga ku do të vlerësohet origjinaliteti i tyre; “Ku janë ata tani”, i cili u dedikohet të gjithë personazheve të famshëm shqiptarë të viteve ‘80-‘90, të cilët nuk jetojnë më në Shqipëri. Do të rikthehet quizi “Gjej moshën”, pa diskutim “Rrethi Katror”, “Galeria” dhe “Trotuar”.

Programet e tjera bazë, që edhe këtë vit do të jenë në transmetim janë: “Open”, “Portokalli”, “Fiks Fare”, “Top Story”, “Shqipëria Live”, “Ftesë në 5”, “Wake up”, “Hipokrati”, “Top Talk”, “Gjurmë shqiptare”, “Exclusive”, “ArtKand”, “Procesi Sportiv”, “Pushime on top”, “N’Shtepi të Re”, (ky i fundit prodhim i Blueberries Production) etj. Këto sa i përket pjesës së parë të sezonit, pasi pas janarit do të zbulojmë projekte të reja.

Si ka qenë ky sezon në blerjen e serialeve, telenovelave? A kanë ndryshuar çmimet e tyre në tregje? Cilët janë tregjet më interesante ne këndvështrimin tuaj?

Top Channel është besnik i serialeve nga Italia, SHBA-ja dhe Amerika Latine, por kemi përzgjedhur edhe prodhime klasike ruse. Teleshikuesit tashmë kanë krijuar lidhjen e tyre përmes këtyre prodhimeve dhe ne nuk kemi dashur ta ndryshojmë kursin e shijeve të tyre, për të ruajtur gjithmonë një standard në tregun mediatik. Sidomos këto vitet e fundit, ka një interes të madh për prodhimet amerikane, zhanri aksion/mister.

Teleshikuesit do të kenë mundësinë të ndjekin në ekranin e Top Channel blerjet e fundit nga Netflix, të serialeve artistikë “Skandal” dhe “Spartakus”. Serialet apo filmat që ne transmetojmë janë blerje që i takojnë vitit në të cilin flasim ose disa muaj nga mbyllja e sezonit, në vendin ku është transmetuar premiera. Koherenca na bën që t’u plotësojmë teleshikuesve, kërkesën, dëshirën, interesin… Edhe formatet që prodhohen në studion e Top Channel pa diskutim që ndjekin të njëjtën strategji.

Cili do të jetë raporti mes aktualitetit, politikës dhe argëtimit? Cili do të mbajë peshën më të madhe dhe pse?

Do të jetë një baraspeshë, e ndikuar dhe nga ngjarjet aktuale/politike. Programet e përditshme si “Wake up”, “Shqipëria Live”, “Ftesë në 5”, “Top Talk” apo dhe transmetimi 2-3 herë në javë i “Open” i plotëson kërkesat e audiencës për informim. Programet e tjera që kanë në qendër argëtimin, humorin, ndodhitë dhe historitë reale plotësojnë mozaikun e së gjithë gamës së prodhimeve televizive që do të ofrohen këtë sezon.

Po sa i takon raportit, prodhime tuajat dhe blerje, si qëndron në përqindje dhe si ka qenë ecuria nga viti në vit i këtij raporti?

Në vitet e fundit, Top Channel u ka dhënë përparësi prodhimeve të veta dhe mbi 90 për qind e transmetimeve mbajnë vulën e prodhimeve tona. Fokusi janë prodhimet shqiptare dhe pjesa më e madhe e programacionit po flet shqip. Përpos prodhimeve, edhe trendi i bashkëpunimeve, si në rastin e SNOB, synon që t’i hapë rrugën të tjera bashkëpunimeve interesante, jo vetëm me prodhimet në Shqipëri, por pse jo, edhe nga rajoni.

A është bërë audienca më përzgjedhëse në lidhje me programet që ndjek dhe cilat janë disa nga tendencat që keni vënë re në sjelljen e saj karshi asaj çfarë ofrohet në ekran?

Vitet e fundit, matësi më i mirë i audiencës televizive është YouTube, pasi të jep mundësi të ndjekësh programet në orë të ndryshme. YouTube është kanali i brezave të rinj, të cilët nuk rrinë para ekranit si brezat më të vjetër. Nisur nga të dhënat e YouTube, Top Channel është televizioni më i madh në audiencë me 1.5 miliardë views/shikime nga shtatori 2020 në shtator 2021, ndërkohë që televizioni i renditur i dyti në vend, ka afro 3 herë më pak shikime apo 600 milionë, sipas të dhënave zyrtare të vetë YouTube.

Si mbetet interesi i biznesit për të reklamuar duke qenë se vitin e shkuar pati një rënie drastike të buxheteve të marketingut? Si paraqitet situata këtë vit?

Është e vërtetë, por drita jeshile është hapur edhe për bizneset. Duke treguar një mirëkuptim për këtë, në këtë vit të vështirë dhe duke prodhuar programe që qasjen ndaj audiencës e kanë direkte dhe me feedback (përshtypje) të menjëhershëm, kjo e bën biznesin më të interesuar ndaj televizionit. Përgjegjësia është e madhe, puna krijuese po ashtu./ Monitor.

Top Channel