Alarm te Franca vetëm pak orë para finales së Nations League ndaj Spanjës e cila do të zhvillohet të dielën në mbrëmje në stadiumin mitik San Siro në Milano.
Në testet e fundit kundër COVID-19 që kanë zhvilluar futbollistët e përfaqësueses së gjelave, mesfushori i Juventusit Adrien Rabiot ka rezultuar pozitiv. Lajmin e ka bërë të ditur federata franceze e futbollit që gjithashtu ka njoftuar se lojtari është vendosur menjëherë në karantinë duke u izoluar dhe duke u mbajtur larg nga pjesa tjetër e skuadrës, megjithatë frika për lojtarë të tjerë të infektuar te Franca ekziston dhe të gjithë futbollistët do të mbahen në vëzhgim dhe do të kryejnë teste të shpejta.
Sipas rregullave anti-Covid, Franca nuk mund ta zëvendësojë mesfushorin i cili do të humbasë edhe disa nga impenjimet e radhës me Juventusin. Rabiot u aktivizua titullar në sfidën mes Belgjikës dhe Francës me trajenerin Didier Deschamps që e zëvendësoi në minutën e 75-të mesfushorin. Ndaj Belgjikës, Franca edhe pse e pa veten në disavantazh të dyfishtë, arriti të përmbyste shifrat në 2-3 në pjesën e dytë falë finalizimeve të Benzema, Mbappe me penallti dhe Theo Hernandez./SuperSport/
Top Channel