Këtë verë Tottenham ia doli t’i rezistojë tundimit për të shitur kartonin e Harry Kane për shifrën e 150 milionë eurove, megjithatë e ardhmja e kapitenit anglez duket se do të jetë larg Londrës, pasi verën e ardhshme Manchester City do të provojë një tjetër ofensivë.
Pikërisht për këtë arsye, drejtori sportiv i Tottenham, Fabio Paratici ka nisur punën për të gjetur pasardhësin e kapitenit, në mënyrë që skuadra të mos kapet e papërgatitur dhe njëkohësisht të arrijë ta zëvendësojë sa më mirë njeriun gol.
Për momentin emrat favoritë janë ata të argjentinasit Mauro Icardi dhe serbit Dusan Vlahovic, pasi të dy njihen mirë dhe pëlqehen nga Paratici, por njëkohësisht janë edhe në listën e lojtarëve të shitshëm në klubet përkatëse.
Kështu argjentinasi 28-vjeçar nuk bën më pjesë në planet e PSG-së, që ia ka besuar repartin treshes Mbappe-Neymar-Messi, ndaj kundrejt një oferte prej 35-40 milionë eurosh, mund të lihej i lirë të transferohej në Londër.
Situatë ndryshe ka serbi Vlahovic, që është titullar i padiskutueshëm te Fiorentina, por ka refuzuar rinovimin e kontratës dhe klubi vjollcë duhet ta shesë Brenda verës së ardhshme, për të mos e humbur më pas me parametra zero.
Pretendimet e toskanëve kanë qenë për të arkëtuar rreth 70 milionë euro nga kartoni i 22-vjeçarit, megjithatë në verë marrëveshja mund të arrihet edhe për një shifër prej 45-50 milionë eurosh, duke parë që kontrata me sulmuesin skadon më 2023-shin.
Top Channel