Ndonëse prej rreth një viti jeton si “i ndarë në shtëpi” me klubin e Lazios, aventura e Thomas Strakoshës me bardhekaltrit mund të mos mbyllet në fund të këtij sezoni.
Deri tani gardiani kuqezi është lënë në pankinë, pasi ka refuzuar të rinovojë kontratën që i skadon në fund të sezonit, megjithatë gjërat duket se kanë marrë një tjetër kthesë në javët e fundit.
Sipas mediave italiane, drejtuesit e Lazios dhe menaxheri i portierit, janë ulur për të diskutuar rinovimin e kontratës dhe bisedimet duken në rrugë të mbarë, ndaj nuk përjashtohet që të ketë një marrëveshje brenda këtij viti.
Bardhekaltrit janë treguar të gatshëm t’i ofrojnë një kontratë 4-vjeçare Strakoshës, me pagë prej 1.5 milionë eurosh në sezon, ndërsa nga ana tjetër përfaqësuesit e portierit kanë kërkuar 2 milionë euro.
Megjithatë kërkesa dhe oferta janë pranë, ndaj gjasat janë që të në ardhmen të ketë një marrëveshje me shifra të ndërmjetme, që do të kënaqnin jo vetëm Lazion, por edhe portierin kuqezi, të cilit ka filluar t’i peshojë shumë pankina.
Top Channel