Cristiano Ronaldo është shpallur lojtari më i mirë për muajin shtator në Premier League, ndërsa çmimin si trajneri më i mirë për këtë muaj e mori Mikel Arteta.
Portugezi e merr këtë çmim për herë të pestë në karrierën e tij në “Ishull”. CR7 pati impakt të menjëhershëm te skuadra e Solskjaer, duke shënuar në debutim ndaj Newcastle, ndërsa në total, në kampionat, gjatë muajit shtator, shënoi tre gola. Në garë për këtë çmim ishin edhe mbrojtësi i Man. City-t, Joao Cancelo, Rudiger i Chelsea-t, Saint-Maximin i Newcastle, Sarr nga Watford dhe sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah.
Në aspektin personal, Ronaldo e shijoi në maksimum shtatorin, pasi rrugën e golit e gjeti edhe jashtë Premier League-s, duke koleksionuar pesë gola në gjashtë ndeshje.
Pas një nisjes negative, Arteta dhe Arsenali janë rikthyer në shinat e duhura dhe pikërisht ky rikthim ka bërë që tekniku spanjoll të vlerësohet me çmimin e trajnerit më të mire të muajit shtator. Arsenali koleksionoi 9 pikë të plota në tri ndeshjet e muajit, ndërsa jashtë Premier League-s, “Topçinjtë” siguruan edhe kualifikimin në Kupën e Ligës, duke mundur Wimbeldon. Arsenali e nisi muajin me një fitore ndaj Norwich dhe më pas erdhën sukseset ndaj Burnley-t dhe përballë Tottenhamit.
Pas çmimit, Arteta u shpreh i lumtur, por vlerësimin nuk e konsideron personal.
“Është meritë e skuadrës që unë po marr këtë vlersim. Nisja ishte shumë e dobët, por nuk u dorëzuam. Kemi punuar shumë dhe tashmë është momenti për të shijuar pak nga kjo ecuri e mirë që kemi ndërtuar, por asgjë s’ka përfunduar, vetëm sapo ka filluar dhe duam të bëjmë përsëri gjëra të mira, kur kampionati të rifillojë.”
Top Channel