Fluks në transportin detar edhe në vjeshtë/ 81 lundrime gjatë shtatorit në Durrës, 35 mijë udhëtarë më shumë se një vit më parë

08/10/2021 12:52

Transporti detar i udhëtarëve, edhe pse ende nën efektet e pandemisë, ka pësuar rritje këtë vjeshtë, krahasuar me një vit më parë.

Gjatë muajit shtator, kanë udhëtuar me tragete 60.717 shtetas shqiptarë dhe të huaj nga porti i Durrësit drejt porteve italiane dhe anasjelltas, ndërsa tragetet kanë vijuar rregullisht lundrimet.

Ulja e masës së kufizimeve dhe procesi i vaksinimit  kanë ndikuar në lëvizjen ndërshtetërore të qytetarëve gjatë muajit shtator, kur tragetet realizuan 81 lundrime. Sipas statistikave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, mbi 35 mijë persona më shumë se në shtatorin e vitit 2020 shfrytëzuan tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona dhe kthim për të udhëtuar mes dy brigjeve të Adriatikut.

Gjithsesi, këtë vjeshtë numri i udhëtarëve përgjatë një muaji është më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, para pandemisë, kur lundrimi me tragete u përdor nga afro 75 mijë udhëtarë.

Top Channel