Donald Trump: Emigrantët haitianë që vijnë drejt SHBA janë ndoshta me AIDS (fotot)

08/10/2021 18:35

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar dje se turmat e emigrantëve haitianë që raportohet se po afrohen drejt kufirit të SHBA, janë të infektuar me AIDS.

“Kemi qindra mijëra njerëz që po vijnë nga Haiti,” tha Trump në një intervistë me rrjetin Fox News. “Haiti ka një problem shumë të rëndë me virusin e sidës. Kështu që qindra mijëra njerëz që po vijnë në vendin tonë, nëse shikojmë statistikat në Haiti, mund të kemi një problem të madh me virusin HIV/AIDS”.

“Shumë prej tyre ndoshta janë të sëmurë me sida dhe ne s’mund të bëjmë asgjë. Ne i lëmë të gjithë të vijnë. Është si t’i urosh vdekjen vendit, është si një urim vdekjeje për vendin tonë.”

Programi i OKB për  HIV/AIDS llogarit se janë rreth 150,000 haitianë që jetojnë me virusin HIV që shkakton sidën. Shumica e atyre që raportohet se po avancojnë drejt kufirit të SHBA me Meksikën besohet se janë tashmë në vendet e Amerikës Latine pas largimit nga Haiti pas tërmetit shkatërrimtar të janarit 2010.

Muajin e kaluar autoritetet në Panama sugjeruan se rreth 60,000 emigrantë shumica e të cilëve nga Haiti po avancojnë drejt kufirit jugperëndimor.

Trump sugjeroi gjithashtu në intervistë se vendet “janë duke zbrazur burgjet e tyre te Amerika,” duke i bërë jehonë retorikës së tij anti-emigracion të fushatës së 2016.

“Disa nga njerëzit më të fortë po hidhen brenda SHBA, sepse vendet e tyre nuk i duan. Ata janë gangsterë të burgosur për të cilët duhet të kujdeset SHBA. Çfarë është kjo , ata po shkatërrojnë vendin tonë”.

FOTO GALERI
1/8
Mijëra emigrantë haitianë po vërshojnë në një kamp të improvizuar, nën urën që ndan Del Rio në Texas nga qyteza meksikane e Ciudad Acuña

Top Channel