“Çmimet do stabilizohen”/ Banka e Shqipërisë: Efekti do jetë kalimtar, në fillim të 2022 stabilizohet

06/10/2021 19:40

Guvernatori Gent Sejko ka komentuar situatën makroekonomike në vend pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Në lidhje me temën më aktuale për xhepat e qytetarëve, ajo e rritjes së çmimeve , Sejko u shpreh se ajo do të jetë e ndjeshme dhe mund të përbëjë një rrezik për rimëkëmbjen e ekonomisë, por në parashikimet fillestare ajo mbetet kalimtare.  Sipas Bankës çmimet pritet të stabilizohen fillimin e vitit të ardhshëm.

“Çmimet e lëndëve të para, të ushqimeve dhe produkteve energjetike kanë njohur një rritje të shpejtë muajve të fundit. Kjo rritje ka pasqyruar si rimëkëmbjen e kërkesës botërore ashtu edhe vështirësitë që ka pasur niveli i ofertës në nivelet e parakrizës. Ky ndikim pritet të jetë kalimtar, por ai përbën një faktor rreziku për nivelin e inflacionit dhe potencialisht për shpejtsinë rimëkëmbjen ekonomike. Këshilli Mbikëqyrës është i gatshëm të rishikojë politikën monetare në mënyrë që ai të jetë në përputhje me objektivin tonë të inflacionit.”

Guvernatori më tej ka komentuar edhe nivelin e punësimit në vend, duke e konsideruar ende të dobët:

“Pavarësisht tendencave përmirësuese niveli i punësimit vazhdon të jetë më i ulët dhe shkalla e papunësisë më e lartë se nivelet para pandemisë. Kthimi i ekonomisë në punësim të plotë duket se kërkon më shumë kohë dhe mbështetje të vazhduar me stimuj makroekonomikë.”

Guvernatori u shpreh se rritja ekonomike në Shqipëri sipas parashikimeve pritet të jetë në nivelin 7%, afërsisht i njëjti edhe me parashikimet e Bankës Botërore.

Top Channel