Përgjegjësi i FIFA-s për zhvillimin e futbollit, Arsene Wenger vijon të këmbëngulë për organizimin e Botërori çdo dy vite, pavarësisht se ka hasur në një kundërshti shumë të fortë nga ana e qeverisë europiane të futbollit, UEFA.
Së fundi francezi 72-vjeçar ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për një ide revolucionare, por një nevojë të domosdoshme për rregullimin e kalendarit, pasi për atë aktualin ankohen të gjithë se është shumë impenjativ.
“Nuk flitet për revolucion, por thjesht zhvillim pozitiv. Aktualisht kalendari është vrastar, me shumë impenjime dhe shumë udhëtime, ndaj askujt nuk i pëlqen kjo. Ideja është për një rregullim të kalendarit, me shumë më pak ndalesa të kampionateve dhe me kohën për një event madhor çdo fund-sezoni, qoftë Europian apo Botëror. Më pas kemi parashikuar edhe një pushim 25 ditor për të gjithë futbollistët”, deklaroi Wenger.
Duke folur në lidhje me kundërshtitë që po has në lidhje me këtë projekt të ri, francezi zbuloi se të gjithë futbollistët me të cilët ka folur, e kanë mirëpritur idenë e një rregullimi të kalendarit, në mënyrë që të ketë hapësira edhe për një Botëror çdo dy vite.
“E kemi konsultuar idenë tonë me shumë futbollistë të rëndësishëm dhe të gjithëve u pëlqen ideja që të luajnë më shumë ndeshje të rëndësishme, sesa miqësore pa vlerë. Thuajse të gjithë futbollistët që angazhohen me përfaqësueset, luajnë në Europë dhe bëjnë mijëra kilometra udhëtime të lodhshme e përballen me ndryshime klimatike, që ndikojnë jo pak në rendimentin e tyre. Mendoj se është një ide shumë e mirë për futbollin dhe sa më shpejt të vihet në zbatim, aq më shumë do të përfitojmë të gjithë”, u shpreh francezi.
Top Channel