Në skandalin e fundit global, nuk mund të shpëtonte as futbolli, e madje edhe disa eksponentë të rëndësishëm të tij. Janë dhe Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola në listën e “Pandora Papers”, hetimi i publikuar të dielën nga gazetarët investigativë të “International Consortium”, pas analizës që i kanë bërë plot 11.9 milionë dokumenteve, me prejardhje nga 14 shoqëri shërbimesh financiare.
Një hetim që ka zbuluar 29 mijë shoqëri off-shore, pra me qendër ne të ashtuquajturat “parajsa fiskale” për të evituar detyrimet tatimore. Në listën ku nuk mungojnë emrat e bujshëm duke nisur nga kryeministra apo ish kryeministra si Tony Blair e Strauss-Khan, presidentë, aristokratë e yje të sportit e spektaklit si Shakira apo Claudia Schiffer, teksa figurojnë edhe emrat e dy trajnerëve.
Sipas mediave spanjolle, Ancelotti, i cili është nën hetim në Spanjë për taksat e tij në 2013 dhe në 2015, në koincidencë me etapën e tij të parë te Reali i Madridit, ka përdorur një shoqëri në Virgin Islands për të menaxhuar të ardhurat nga të drejtat e imazhit, diçka mbi të cilën po hetojnë organet fiskale iberike.
Guardiola ndërkohë është në listë për një llogari rrjedhëse në Andorra nga 2003 deri në 2012, por trajneri më pas ka përfituar nga një amnisti fiskale e qeverisë Rajoy për të rregulluar pozicionin e tij.
Top Channel