Zgjedhje Itali/ Mafia i vrau nënën, tani kandidatja kërkon bashkinë e Napolit për t’u përballur me ta (fotot)

02/10/2021 21:29

Alessandra Clemente kërkon të luftojë ciklin e dhunës duke fituar zemrat e nënave dhe bashkëshorteve të gangsterëve të Kamoras, në qytetin bregdetar italian.

Më 11 qershor 1997, vajza 10-vjeçare e quajtur Alessandra Clemente dëgjoi 41 të shtëna nga dritarja e shtëpisë së saj në Napoli, teksa priste që nëna t’i kthehej në shtëpi për drekë.

Kur të shtënat mbaruan, ajo doli në dritare dhe pa të ëmën Silvia të shtrirë në një pellg gjaku.

Vëllai i saj i vogël rrinte pranë trupit të nënës duke vajtuar.

Silvia Clemente nuk ishte objektivi i vrasësve, por ishte vrarë në moshën 39-vjeçare nga një plumb qorr i luftës së banditëve.

Deri atë ditë Alessandra nuk kishte dëgjuar kurrë për organizatën që mori jetën e nënës, dhe do të niste t’i jepte formë edhe të sajës; Kamora, mafia napoletane.

Njëzetedy vjet më vonë, tashmë 34 vjeçarja Alessandra Clemente, kandidon për t’u bërë kryebashkiakja e ardhshme e qytetit.

Fushata e saj ka përfshirë të tjerë të afërm të viktimave të mafias, si dhe të birin e një gangsteri të lartë të Kamoras.

Në çdo miting të fushatës, ajo kujton vdekjen e nënës së saj.

“Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë të shtëna, kështu që mendimi i parë që më erdhi në kokë ishte një aksident me makinë. Vetëm më vonë mësova se Kamora kishte organizuar vrasjen e nje kreu të rangut të lartë,” thotë ajo në një intervistë.

Atë ditë vrasësit e mafias dolën në me motoçikleta në rrugët e zonës Arenella, në kodrën Vomero, për të vrarë kreun e klanit rival Luigi Cimino. Ata e kishin marrë këtë urdhër 13 herë atë vit, por kishin dështuar. Shefi rival rezultoi një objektiv i vështirë. Por kësaj here nuk do të kishte gabime dhe kur panë dy rojet e Ciminos jashtë apartamentit të tij, ata nisën të qëllonin pa përmbajte.

Atentatet e mafias kryhen shpesh në zona të populluara urbane, ku dhjetra banorë vrapojnë për të gjetur mbrojtje.

“Kur shikova jashtë dritares pashë vëllanë që mbante dorën e nënës,” tregon zonjusha Clemente. “Edhe kur erdhi policia Francesco refuzonte ta lëshonte.”

“Isha e shkatërruar, por e dija se duhet të kujdesesha për vëllanë tim. Kam vendosur të kandidoj për kryebashkiake sepse nuk dua që fëmijë të tjerë si asokohe vëllai im,  të kalojnë mes këtyre tragjedive”, shton ajo.

Plani i Clementes për t’i dhënë fund ciklit të dhunës mbështetet te gratë dhe bashkëshortet e gangsterëve.

“Jam rritur me idenë se dikush tjetër duhet të vdiste në vend të nënës time. Por me kalimin e kohës kam kuptuar se ndryshimi nuk vjen nga urrejtja, por nga dashuria, dhe se unë desha të ndryshoj gjërat. Këto nëna te mafias duhet të bëhen aleatet e mia për të arritur suksesin. Nënat dhe në përgjithësi gratë, edhe brenda Kamoras, kanë një pushtet thuajse të strukturuar, ato kanë shumë influencë”.

Ngritja e grave në pozita komande brenda mafias, është një fenomen gjithnjë në përhapje në Itali. Të njohura si “capi in gonna” (shefa me funde), ato shpesh kanë zëvendësuar burrat apo bijtë e tyre të burgosur në pikat e nxehta të mafias në jug të Italisë.

Sipas të dhënave lokale 30% e banorëve të Napolit janë të papunë.

Por forca e vërtetë e Kamoras është te adoleshentët. Në zonat urbane të Napolit, krimi shihet si rruga drejt suksesit financiar nga të rinjtë, dhe konsiderohet si alternativë më e besueshme. Prandaj ata janë objektiva të thjeshtë rekrutimi nga mafia.

‘‘Ka njerëz që në mungesë të modele pozitive, e gjejnë veten duke shpërndarë drogë për llogari të Kamoras për 100 euro në ditë”, thote Clemente, e cila prej vitit 2013 ka shërbyer si këshilltare bashkiake, e fokusuar te politikat për të rinjtë.

“Ne duhet të bëjmë që ata dhe nënat e tyre të kuptojnë se paraja është një iluzion. Sepse kur je 23 vjeç, në rastin më të mirë do të përfundosh në burg, në rastin më të keq do të vritesh”.

Clemente mbëshetet si kandidate si nga e majta e moderuar dhe nga partitë e të djathtës radikale.

Gjithsesi ajo nuk është nga pretendentet, me një marzh të llogaritur votash prej 11% deri në 22%.

Për momentin sondazhet i japin avantazhin kandidatit Gaetano Manfredi, ish-kreut të Universitetit të Napolit, Federico II, i mbështetur nga Partia Demokratike dhe Lëvizja 5-Yje në pushtet.

Por sondazhet në qytete zakonisht nuk kanë rezultuar të sakta, shpeshhere të përmbysura nga votuesit e pavendosur, të cilët aktualisht në Napoli qëndrojnë në rreth 52%.

Megjithse qyteti është përmirësuar nga pikëpamja sociale e kulturore, sipas të dhënave lokale 30% e banorëve të Napolit janë të papunë.

Ditët e fundit të fushatës, Clemente ka bërë dhjetra takime me njerëz që kanë humbur vendin e punës pas pandemisë.

Përkrah saj është Antonio Piccirillo, kandidat për këshillin e qytetit dhe i biri i një shefi të vjeter Kamoras,  Rosario Piccirillo. Antonio është 25 vjeç dhe është rritur duke e njohur banë e tij vetëm nga prapa hekurave të burgut. Një ditë, i lodhur nga dënimet e njëpasnjëshme të të atit, Piccirillo vendosi të distancohej publikisht nga gjithçka babai i tij ka bërë.

Antonio Piccirillo, kandidat për këshillin e qytetit dhe i biri i shefit të vjeter te Kamoras, Rosario Piccirillo

“E imja është një histori vuajtjeje, e shënuar nga dhimbja që më ka shkaktuar babai im,’’ thotë Antonio për rrjetin Observer. “Kam ndaluar vizitat te ai në burg. Ishte shumë e dhimbshme, kështu që ka disa vjet qe kam vendosur të drejtoj zemërimin tim drejt kësaj bote.”

“Dëshiroj që babai im të dijë se jam kundër tij për ta shpëtuar. Rebelimi im është një mënyrë për të arritur te ai. Unë po zgjas dorën që ai duhet të kishte zgjatur drejt meje kur isha i vogël”.

Në fushatën e saj Clemente preferon të tregojë historinë kur vizitoi në spital një vajzë të vogël, jeta e së cilës thuajse kishte mbaruar, ndoshta në të njëjtën mënyrë me atë të nënës së saj.

Emri i vajzës ishte Noemi, ajo ishte katër vjeçe dhe ishte goditur nga një plumb qorr i mafias. Plumbi i kishte goditur shtyllën kurrizore dhe shpuar mushkëritë.

“Kushtet e saj ishin të rënda”, tregon Alessandra. “Por një ditë, pas dhjetra operacioneve, ajo me ne fund u zgjua. Ajo nisi të marrë frymë vetë dhe u ngrit në këmbë, sot ajo është një fëmijë i mrekullueshëm dhe mund të vrapojë. Për mua Napoli është pak si Noemi, që ishte plagosur rëndë në të kaluarën. Tani unë dua të bëj Napolin të vrapojë.” /Lorenzo Tondo për The Guardian/ Përgatiti për Top Channel: Andi Lamko/

FOTO GALERI
1/3
Alessandra Clemente kërkon të luftojë ciklin e dhunës duke fituar zemrat e nënave dhe bashkëshorteve të gangsterëve të Kamoras

Top Channel