Situata në veri të Kosovës/ Kryetari i Leposaviçit: T’i kthehemi normalitetit. Kur të lëvizin njësitë speciale edhe makineritë hiqen

02/10/2021 11:31

Kryetari i Leposaviçit, Zoran Tadiç është shprehur i gatshëm të vërë në zbatim marrëveshjen Kosovë-Serbi për reciprocitetin e targave, e firmosur dy ditë më parë në Bruksel.

Tadiç thotë se ka respektuar kërkesën e ushtarëve të KFOR për lirimin e njërës korsi ku ata mund të vendosen në vend të specialeve. Ai shton se populli është gati t’i heqë kamionët dhe t’i kthehet jetës normale.

Ushtarët e KFOR kanë kërkuar që ne të lirojmë një korsi dhe ne e kemi bërë në mënyrë që ata të vijnë në lokacion ku do të vendosen në vend të specialeve. E kemi bërë atë që është kërkuar. Në momentin që lëvizin njësitë speciale edhe makineritë hiqen. Kryesorja është të ruajmë paqen dhe të kthehemi në normalitet. Natyrisht se duhet respektuar marrëveshja dhe NATO është garantues. Ishim të përgjegjshëm gjatë kësaj kohe me barrikada.

Unë besoj se njerëzit në Prishtinë do ta respektojnë dhe janë të vetëdijshëm çfarë situate është në terren dhe të zbatohet ajo çka është në Bruksel.

Populli është gati me i hek kamionët dhe me ju kthy jetës normale sepse normaliteti na duhet të gjithëve”, ka thënë Tadiç.

Top Channel