Borussia Dortmund lë pas humbjen e një jave më parë në transfertën ndaj M’Gladbach, teksa ia ka dalë të triumfojë me shifrat 2-1 në “Signal Iduna Park” përballë Augsburgut.
Në mungesë të bomberit Erling Haaland, ishte mbrojtësi portugez Raphael Guerreiro që zhbllokoi sfidën në minutën e 10’, megjithatë miqtë rikthyen baraspeshën në të 35-ën me sulmuesin me origjinë nga Kosova, Andi Zeqiri.
Golin me vlerë 3-pikëshe e shënoi Julian Brandt në minutën e 51-të, ndërsa më pas verdhezinjtë patën edhe disa mundësi të tjera shënimi, por fati dhe gabimi në konkretizim, u mohuan goleadën. Bën dy fitore radhazi edhe Borussia Monchengladbach, që këtë herë ia doli të triumfojë me shifrat 1-2 në transfertën e vështirë ndaj Wolfsburgut. Embolo dhe Hoffman shënuan dy gola të shpejtë për skuadrën e drejtuar nga Adi Hutter, ndërsa vendasit rihapën sfidën me Walschmidt në të 25-ën.
Në minutën e 76’, Lacroix la vendasit me 10 futbollistë, pasi shkaktoi një penallti dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, megjithatë nga pika e bardhë Lars Stindl nuk ia doli të realizojë. Për të vulosur ndeshjen, mendoi Scally në minutën e 95-të, pasi dërgoi për herë të tretë topin në rrjetën e Wolfsburg, për t’i dhënë një tjetër 3-pikësh Borussias së Monchengladbach, e cila tani ngjitet në kuotën e 10 pikëve në total.
Në sfidat e tjera, Stuttgart triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj Hoffenhaimit, ndërsa Freiburgu mori tre pikë mjaft të vlefshme falë suksesit 1-2 në transfertën kryeqytetase ndaj Herthës së Berlinit.
Top Channel