Dy ditë pas marrëveshjes, ja si paraqitet situata në veri të Kosovës/ Kamionët qëndrojnë të palëvizur në njërin aks, forcat e KFOR nisen drejt Jarinjës

02/10/2021 10:00

Dy ditë më parë (30 shtator 2021) Kosova dhe Serbia firmosën në Bruksel marrëveshjen për reciprocitetin e targave dhe heqjen e bllokadave në Jarinjë dhe Bërnjak.

Sot pas dy ditësh situata në Jarinjë është kjo që shihni në pamjet e siguruara nga Top Channel.

Sikurse shihet kamionët që kishin bllokuar rrugën mbeten ende të palëvizur në një aks të saj, ndërsa shumë qytetarë dhe forca të Kfor-it ndodhen dhe vazhdojnë të shtohen në vendngjarje.

Marrëveshja Kosovë- Serbi për reciprocitetin e targave u arrit 11 ditëve tension në veri.

Palët janë pajtuar për tri pika kyçe:

1.Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, nga ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.2.Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, si masë e përkohshme, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

3.Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Ç’ndodhi rreth një orë më parë

Situata në veri të Kosovës, në kufirin me Serbinë ende nuk është normalizuar, ndërsa forca të KFOR-it vazhdojnë të shtohen në vendngjarje.

Ndërsa trupat e KFOR-it vijojnë të shtohen, Top Channel mëson se njësitet speciale dhe barrikadat vazhdojnë të qëndrojnë në Jarinjë. Sikurse raportuam pak më parë ende nuk është vënë në zbatim marrëveshja e dy ditëve më parë, ku në Bruksel, Kosova dhe Serbia ranë dakord për reciporcitetin e targave.

Trupat e KFOR-it janë nisur në pikën kufitare të Jarinjës, atje ku janë duke qëndruar njësitet sociale dhe barrikadat. Nga momenti në moment pritet hyrja në fuqi e marrëveshjes Kosovë-Serbi në Bruksel, për reciprocitetin e targave.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës mori vendimin që shoferët nga Serbia kur të hyjnë në Kosovë duhet të ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës me targa të reja.

Dy pikat kufitare në veri të Kosovës, Bërnjak dhe Jarinjë ku popullsia është shumicë serbe janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.

Pas tensioneve të krijuara u vendosën njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel