Kundërshtimi nga ana e qeverisë Kurti të projektit gazsjellës amerikan ka sjellë debate të mëdha politike në Kosovë. Ky projekt me tubacionin e tij lidhte vendin me Greqinë nëpërmjet Maqedonisë së Veriut. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në një konferencë për shtyp deklaroi se qeveria nuk kishte informacionet e duhura për të vazhduar përpara me projektin.
Këto informacione lidheshin kryesisht me kostot e gazsjellësit, ndërsa korporata amerikane MCC kishte financuar me 200 milionë dollarë studimin e fizibilitetit. Por për ta përfunduar atë, qeveria e Kosovës e ka cilësuar si hap të nxituar me kosto të larta. Ndërkohë, Rizvanolli njoftoi më tej se është nënshkruar vetëm një marrëveshje ndihme me kompaninë amerikane për investime me risk më të ulët.
E gjitha duket si një çështje afati kohor dhe kostosh ekonomike, por opozita në Kosovë ka reaguar mbi këtë lajm duke akuzuar kryeministrin Kurti se po dëmton aleancën strategjike të Kosovës me SHBA-të. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ishte i pari që reagoi duke i bërë një pyetje të drejtpërdrejtë kryeministri Kurti nëse gjatë vizitës së tij në Greqi ishte takuar me përfaqësues të Gazpromit rus dhe ka refuzuar projektin amerikan.
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si një humbje financiare 200 milionë dollarëshe, veprim të pakuptimtë dhe dëmtim të interesave shqiptare në rajon. Ndërkohë, ky projekt kishte marrë edhe një miratim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila kishte thënë për një intervistë me Deutsche Welle se nga pikëpamja politike dhe gjeostrategjike Kosova nuk kishte asnjë arsye për ta refuzuar këtë projekt me rëndësi të ‘shumëanëshme’.
Top Channel