Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me burgim të përjashtëm B.V, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij me inicialet A.A. Vrasja, sipas njoftimit të këtij institucioni ndodhi në gusht të vitit 2019 dhe i pandehuri goditi viktimën me 14 plumba.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi njoftoi se palët kanë të drejtë që brenda 15 ditësh, pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, të ankohen në Gjykatën e Apelit.

Avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se tash e tutje, vrasjet e grave do të dënohen maksimalisht.

“Gjykata, ashtu si e kam propozuar në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, e ka dërguar porosinë në shoqërinë tonë: tash e tutje, vrasjet e grave do të dënohen maksimalisht. Përndryshe, ky vendim i guximshëm po e kthen besimin në sistemin e drejtësisë”, ka shkruar Koci.

Sipas aktakuzës, B.V akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, A.A.

Në aktakuzë thuhet se pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri u pajis me një pistoletë dhe shtiu drejt bashkëshortes 15 herë, duke e goditur 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Për veprën penale vrasje, sipas ligjeve në fuqi, një person në Kosovë mund të dënohet më së paku me dhjetë vjet burg deri me burgim të përjetshëm.

Shoqëria civile ka kërkuar që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare nga sistemi i drejtësisë.

Deri në qershor të vitit 2021, sipas Policisë së Kosovës u shënuan dy raste të vrasjes së grave, ndërsa në vitin 2020 ishin vrarë shtatë gra./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA