Kriza në veri të Kosovës ka shkaktuar reagime të shumta në Beograd. Vizita e ambasadorit rus tek njësitë ushtarake nuk ishte e menduar mire, thotë DW.
Tensionet në pikat kufitare të Jarinje dhe Bërnjak po vazhdojnë për më shumë se dhjetë ditë me radhë. Ndërkohë po vazhdon edhe një aktivitet i shtuar diplomatik në trekëndëshin Beograd-Prishtinë-bashkësia ndërkombëtare për të qetësuar gjendjen. Kosova po përpiqet ta paraqesë krizën e fundit si një çështje teknike që lidhet me reciprocitetin rreth targave.
Sakaq në Beograd thuhet se dërgimi i njësisë speciale Rosu në veri paraqet provokim dhe rrezik për serbët e atjeshëm. Serbia ka dërguar njësitë e veta ushtarake, automjete të blinduara dhe helikopterë në afërsi të pikëkalimeve. Ka pasur madje edhe fluturime të avionëve në afërsi të vijës kufitare. Në veri është rritur edhe prania e KFOR-it.
Lëvizjet e trupave po shoqërohen me retoriken e ashpër të Beogradit zyrtar, e cila mund të interpretohet pjesërisht edhe si mburrje boshe e presidentit serb Aleksandar Vuçic, i cili i ka vënë ultimatum NATO-s, “se nëse shpërthen diçka në Kosovë dhe Metohi dhe NATO nuk reagon, serbet do të ndërhyjnë brenda 24 orësh”, shprehet Ivica Petrovic.
Analisti Boshko Jakshic thotë se fakti që ministri serb i mbrojtjes mori me vete ambasadorin rus, nuk ishte një lëvizje e balancuar, sepse e nxori Rusinë si mbrojtësen e madhe të interesave serbe në Kosovë, dhe së shpejti në kryeqytetet perëndimore do të kërkojnë që Serbia të paguajë faturën.
Top Channel