Kosova refuzon gazsjellësin amerikan: Nuk është i duhuri për vendin

30/09/2021 19:36

Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin e gazsjellësit amerikan, pjesë e të cilit është edhe Maqedonia e Veriut.

Ky gazsjellës ishte i financuar në pjesën më të madhe të tij nga MCC ose Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, një organizatë amerikane.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se nuk është bërë e mundur të ecet përpara me marrëveshjen e gazsjellësit, sepse Kosova nuk kishte informacionin nëse ky veprim është hapi i duhur për vendin në tranzicionin e saj energjetik, ndërsa nga ana tjetër “MCC-ja ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kontaktit.

Ndërkohë, Rizvanolli ka njoftuar se është nënshkruar një marrëveshje ndihme me MCC-në për investime me risk më të ulët por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”.

E gjitha duket si një ccështje afati kohor, por opozita në Kosovë ka reaguar mbi këtë lajm duke akuzuar kryeministrin Kurti se po dëmton aleancën strategjike të Kosovës me SHBA-të.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ishte i pari që reagoi duke i bërë një pyetje të drejtpërdrejtë kryeministri Kurti: “Gjatë vizitës suaj të gjatë në Greqi, a e keni takuar ndonjërin nga përfaqësuesit e Gazpromit rus dhe a është kjo arsyeja e refuzimit të projektit të gazsjellësit amerikan!?Refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Edhe LDK së bashku me PDK-në kanë shprehur mendimet e tyre kundër refuzimit të këtij projekti.

Top Channel