Kolapsi në Gjykatën e Apelit në Korçë/ Dhoma e avokatisë: Ndodhemi në kushtet që gjykatësi jep vendime të pasakta

30/09/2021 13:39

Dhoma e avokatisë në Korçë në një deklaratë për media ka folur për gjendjen e Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë dhe vonesat në proceset gjyqësore.

Avokati Arben Lena thotë se gjykatën e apelit janë komanduar gjykatës të shkallës së parë, një gjë e paligjshme kjo.

Lena ka theksuar se kjo gjykatë duhet të ketë 14 gjyqtarë dhe ditën e sotme ka 4 gjyqtarë më shumë dhe kryetarin, që punon me gjysmë ngarkese dhe gradualisht sipas tij gjendja po shkon drejt kolapsit dhe bën që shpesh edhe gjykatësi të japë vendime që nuk janë të sakta.

“Kemi pasur një gjendje kolapsi në gjykatën e apelit ku për hir të së vërtetës duhet të themi që në gjykatën e apelit janë komanduar gjykatës të shkallës së parë, e cila dihet shumë mirë nga njerëzit që punojnë në sistemin e drejtësisë, që nuk është e ligjshme pasi gjykatësit e shkallës së parë nuk mund të gjykojnë në gjykatat e apelit dhe në këto gjykata mund të komandohen njerëz që janë në të njëjtin nivel, por megjithatë është një zgjidhje e pranueshme sepse nëse nuk do komandoheshin edhe këta shkonte në kolaps të plotë.

Jemi në gjykatën e shkallës së parë, kjo gjykatë duhet të ketë 14 gjyqtarë dhe ditën e sotme ka 4 gjyqtarë plus dhe kryetarin e gjykatës që punon me gjysmë ngarkese pra jemi në një gjendje, që gradualisht po shkon në një kolaps.

Kjo ka sjellë si rezultat ngarkimin e gjykatësve me shumë dosje është mëse në normale që një gjykatës që ka 200 dosje është e pamundur që t’i lexojë ato dhe ndodhemi në kushte që shpesh edhe gjykatësi të japë vendime që nuk janë të sakta por problemi është edhe në zgjatjen e afatit të gjykimit,në mospasjen e një procesi të drejtë sepse të kesh 200 dosje është e pamundur jo më ti lexosh dhe të kuptosh thelbin e dosjeve por as ti mbash mend fabulat e gjykimit.

Për këtë arsye ne si dhomë e avokatisë Korçë i bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese të gjejnë mënyrën për plotësimin sa më parë të vendeve vakante, nuk diskutohet që mjetet ligjore ekzistojnë dhe ka edhe praktika dhe të mos lihet në një proces që po agravohet gjithnjë edhe më shumë.

Në këtë gjykatë në muajin Korrik ishin 7 gjykatës, tani kemi vetëm 4 për arsye nga më të ndryshmet por nëse do vazhdohet me këto ritme atëherë të gjithë e dinë shumë mirë që gjendja është skandaloze qoftë për të marrë drejtësi,qoftë për tu drejtuar gjykatës,respektimi i afateve e pavarësisht se përmendet shpesh slogani “Drejtësi e mohuar drejtësi e vonuar”,unë mendoj që nuk jemi në ato kushte që pretendojmë thjesht për drejtësi të vonuar por në kushtet që nuk pretendojmë fare për drejtësi,zgjidhjet ekzistojnë vetëm mungon vullneti për të plotësuar gjykatat”, tha avokati Lena.

Ndërsa një tjetër avokate u shpreh: “Në qoftë se ne jemi trajnuar si avokatë karriere për aksesin në drejtësi  për qytetarët korçarë që t’iu drejtohen gjykatave dhe të gjejnë zgjidhjen e të drejtës së tyre. Ne kemi lobuar me të gjitha grupet e interesit që për çdo të drejtë që kërkoni drejtohuni gjykatës. Sot  vijmë dhe iu themi, kërkesat tuaja janë në dekadencë dhe të pazgjidhshme. Ju lutemi qytetarëve që konfliktin brenda familjes, konfliktin për bashkëpronësinë ruajeni brenda familjes sepse gjykata është ineficente, kërkesat tuaja  do të vijnë këtu dhe do të duan 5 vjet të marrin zgjidhje. Ne si avokatë mund t’iu ndihmojmë me sugjerime por jo me vendime pasi vendimmarrja është e gjykatave. Prandaj këtë zgjidhje ua japim për vendim gjyqtarëve me qetësinë e tyre. Jemi përpara kësaj gjykate që nuk funksionon. Kapaciteti i 4 gjyqtarëve  aktualisht janë këtu dhe janë më të mirët në rang vendi, por jemi përpara një kolapsi gjyqësor. Të doni të kërkoni gjyqtarë si ata që u larguan nuk do ti gjeni nga ana profesionale nëse ishte pasuria është konflikt tjetër.”

Top Channel