“Ekonomia shqiptare u rrit ndjeshëm në tremujorin e dytë të vitit me 17.9% sipas Instat më shumë se kundrejt të njëjtës periudhë të 2020-ës kur ekonomia ishte tërësisht në karantinë. Kjo ecuri pozitive është ndikuar kryesisht nga industria, tregtia dhe ndërtimi që kanë dhënë edhe kontributin më të madh në përshpejtimin e aktivitetet ekonomik këtë periudhë.”
Pothuajse të gjitha degët e ekonomisë kanë shfaqur rikuperim duke parë rritje dyshifrore këtë periudhë, veçanërisht sektori i ndërtimit që shënoi rritjen më të lartë me 41.6% ndikuar edhe nga procesi i rindërtimit, ndjekur nga industria nxjerrëse e përpunuese dhe energjia me 39.8%.
Efekt në kthesën pozitive të ekonomisë kanë dhënë edhe tregtia e transportet, teksa situata është përmirësuar ndjeshëm edhe në pjesën e shërbimeve që lidhen me artin dhe argëtimin, ndërsa vazhdon rritjen edhe aktiviteti i pasurive të paluajtshme.
Ndërsa sektori i bujqësisë është ngadalësuar këtë tremujor të dytë duke shënuar një rënie të lehtë prej 0.6% me bazë vjetore.
Edhe konsumi final i popullatës apo shpenzimet e familjeve që përbëjnë edhe peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u përmirësua me një rritje prej 9.8%, teksa ai i qeverisë me mbi 10%.
Sipas ekzekutivit kjo rritje ekonomike me 17.9% zbut efektet e pandemisë dhe e bën më të arritshëm objektivin e qeverisë për një rritje mesatare vjetore prej 4.5% përgjatë mandatit të tretë qeverisës.
Top Channel