Leonardo Bonucci po luan sezonin e tij të 11 me fanellën e Juventusit, ku u transferua në verën e 2010-ës dhe është larguar për vetëm një vit në periudhën 2017-2018, për të provuar një aventurë të pasuksesshme me Milanin.
Mbrojtësi italian ndihet pjesë e historisë së klubit torinez, por në një intervistë ka zbuluar se ka pasur ëndërr të punojë me Pep Guardiolën dhe se në dy momente ka qenë shumë pranë transferimit te Manchester City.
“Kam adhuruar shumë futbollin e Pep Guardiolës dhe doja të luaj për të. Në 2016-ën folëm për gjithçka dhe isha shumë pranë transferimit, por në fund ndërhyri Juventusi dhe vendosi të mos më shesë”, zbuloi mbrojtësi italian. Megjithatë tentativat e Manchester City-t për të transferuar Bonuccin nuk janë ndalur me kaq, pasi klubi anglez provoi edhe dy herë të tjera të blejë kartonin e italianit, por në të dy rastet pa rezultat.
“Provuan të më marrin në verën e 2017-ës, por u kujtuan shumë vonë dhe atëherë i kisha dhënë fjalën Milanit. Verën e kaluar fola sërish me Pep, që këmbënguli të më marrë te Man. City, por doja të rifitoja terrenin e humbur te Juventusi dhe vendosa ta refuzoj”, rrëfen mbrojtësi 34-vjeçar, që këtë verë u shpall Kampion Europe me Italinë.
Top Channel