Vllaznia vijon të investojë për të rritur ndjeshëm nivelin organizativ dhe pasi ndërtoi një skuadër konkurruese në Superiore, po vlerëson maksimalisht edhe kampionatin U21.

Shumë futbollistë të rinj kanë firmosur kontrata afatgjata me kuqeblutë dhe do të kenë Vllazninë U21 si qendrën e tyre të rritjes, ndaj për të ndihmuar këtë proces, kanë sjellë në pankinë anglezin Dean Sibson.

“Sezonin e kaluar bëmë shumë mirë te kampionati U21 dhe këtë vit duam të fitojmë, ndaj kemi investuar duke sjellë një trajner me shumë eksperiencë nëpër akademi prestigjoze dhe klube të tjera”, tha drejtori Sportiv Matko Djarmati, para se t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.

A do të jetë e vështirë të bindësh lojtarët të luajnë për Vllazninë U21?
Ne kemi organikë shumë të pasur këtë sezon dhe mendoj se disa lojtarë të rinj si Smajli e Paloka duhet të shkojnë atje për të marrë minuta. Mund të stërviten me skuadrën e parë, por pa marrë minuta, nuk mund të rriten, ndaj po vlerësojmë shumë skuadrën U21. Vitin e kaluar Çoba luante rregullisht te Vllaznia U21, ku u rrit ndjeshëm dhe aktualisht po kontribuon në ekipin e parë. Këtë shembull duhet ta ndjekin shumë lojtarë.

A është një luks për Vllazninë që ka dy trajnerë të huaj?
Ne kemi parë që lojtarët e ardhur nga akademia kanë shumë disnivel me ekipin e parë, ndaj kemi investuar te U21-shi, për të ndihmuar të rinjtë të rriten dhe të përgatiten për t’iu bashkuar skuadrës së parë. Vllaznia U21 do të jetë një urë lidhëse mes akademisë dhe ekipit të parë, pasi ne duam t’i përgatisim aty lojtarët dhe verën tjetër të nxjerrim disa lojtarë, jo vetëm dy si këtë vit.

A ju pengon lëvizja e lojtarëve nga ekipi i parë te U21-shi?
Jo, fare pasi FSHF-ja e ka menduar shumë morë kalendarin, duke i lënë ndeshjet e U21-shit në mesjavë. Kështu lojtarët që nuk do aktivizohen në ekipin e parë, mund të marrin minuta te Vllaznia U21.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA