Zlatan Ibrahimovic rikthehet në përfaqësuesen suedeze. Trajneri Janne Andersson i ka dërguar ftesë 39-vjeçarit për ndeshjet kualifikuese të muajit tetor, me Greqinë dhe Kosovës.
Interesant fakti që fiks gjashtë muaj më parë, përballë “Dardanëve”, gjiganti suedez ka luajtur ndeshjen e fundit me kombëtaren e tij. Në atë takim të luajtur në “Fadil Vokrri” më 28 mars, nordikët fituan 0-3 dhe Zlatan qëndroi në fushë për 67 minuta, duke dhënë asist në rastin e golit të parë.
Përkundër faktit që Ibra i ka munguar për të jë kohë të gjatë Milanit, madje ende nuk konsiderohet i gatshëm për të dhënë kontribut si titullar në fushë, trajneri i Suedisë ka preferuar ta ketë nën urdhrat e tij për ndeshjet që do të luhen më 9 dhe 12 tetor në “Friend Arena” të Solnas”, në Stokholm.
Gjatë konferencës për shtyp, trajneri Andersson shpjegoi arsyet që e çuan drejt këtij vendimi: “Vendosa ta thërras sepse besoj dhe shpresoj se ai mund të përfshihet dhe të kontribuojë në kauzën tonë. Vjen nga një periudhë lëndimi në shpinë, por ai po përparon çdo ditë sa i përket formës. Do të takohemi me të javën tjetër.”
Top Channel