Vritet polici në aksion antihashash/ Autori 21-vjeçar qëllon veten pas rrethimit nga policia në Ishull-Lezhë

28/09/2021 19:34

Top Channel ka zbardhur dinamikën e vrasjes së policit në krye të detyrës.

Saimir Hoxha së bashku me kolegët e tij ndodheshin prej disa ditësh në zonën e Ishull-Lezhës, ku kishte njoftime për një parcelë me hashash. Gjatë kontrollit të territorit ata kanë konstatuar një automjet ku udhëtonin tre të rinj. U kanë bërë shenjë për të ndalur dhe ndërsa dy nga të rinjtë u bindën, i treti Aldi Rama, 21 vjeç, me një armë pistoletë TT, qëlloi mbi policin Saimir Hoxha.

Plumbat e goditën në zemër policin, i cili humbi jetën rrugës për në spital. Vrasësi rrëmbeu makinën dhe u përpoq të largohej, disa qindra metra më pas braktisi makinën. Forca të shumta policie e kanë rrethuar atë në zonën e lagunës dhe në ndihmë kanë ardhur edhe helikopterët nga ajri.

Pas disa orësh kërkim, vrasësi është zbuluar dhe ka qëlluar tre herë më armë helikopterin. Pas disa thirrjesh për dorëzim, policia i është afruar vendin ku qëndronte i fshehur vrasësi, i cili thuhet se me armën e tij qëlloi mbi veten. Plaga shumë e rëndë i ka rrezikuar jetën dhe 21-vjeçari është dërguar në fillim në spitalin e Lezhës e më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Autori i ngjarjes në muajin maj ishte arrestuar me një sasi droge dhe gjykata e ka lënë në arrest shtëpie, të cilin ai e kishte thyer. Edhe në vitin 2019, ai ishte arrestuar për drogë si dhe ishte kallëzuar penalisht edhe për dhunë nga një vajzë.

Aldi Rama ekspozonte edhe në rrjetet sociale armët që mbante me vete. Kjo ngjarje mund të ishte shmangur nëse ai do të ishte ndaluar me kohë në rrugëtimin e tij drejt fundit.

Top Channel