Lindita Nikolla dha sot intervistën e parë si kryetarja e re e parlamentit të Shqipërisë në emisionin “Top Talk”, ku foli për sfidat dhe përgjegjësitë që “ndjen në këtë pozitë të lartë”, siç e quan ajo.
Nikolla e cilëson detyrën e re që i besoi kryeministri Edi Rama si “përgjegjësinë më të madhe që ka pasur dhe që nuk e kishte imagjinuar se do ta kishte ndonjëherë”.
“Nuk kam pasur asnjë dijeni që do të merrja këtë pozicion të lartë. Jam e vetëdijshme që në Partinë Socialiste kishte plot zonja e zotërinj që fare mirë mund të ushtronin funksionin e kryetarit të parlamentit”.
Shumica e socialistëve mësuan për pozicionet që do të mbanin në kabinetin qeverisës “Rama 3” vetëm gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, përfshirë këtu dhe Nikollën, që thotë se vendimi ishte një surprizë. Ashtu sikurse Erion Braçe mori “lajmin e hidhur” se nuk do të jetë më zëvendës kryeministër, ndërsa Arben Ahmetaj “i zuri vendin”. Por, si i komenton kryeparlamentarja emërimet dhe shkarkimet ‘surprizë’ të bëra nga kryeministri Rama?
“Unë kam përjetuar si një përgjegjësi të lartë, një nga përgjegjësitë që nuk i kisha menduar. Ishte surprizë! Po t’i referohemi rasteve konkrete, kanë një historik protagonizmi. Edhe ata që duken shumë të rinj dhe jashtë politikës kanë një protagonizëm profesional në fusha të caktuara që kanë rënë në sy të kryeministrit. Për sa më takon mua, di që kam zgjedhur një karrierë të gjatë politike që nga kryetare organizate në njësinë bashkiake numër 1, e zgjedhur në tre legjislatura, ashtu si kolegët e tjerë, kam një karrierë të gjatë politike.
Kanë qenë propozime nga Rama në targetin e kreut të kabinetit qeverisë. Ai ka folur dhe unë nuk kam ndonjë shqetësim. Përpos faktit se është surprizë që kemi 12 ministre në qeveri, janë të gjitha me një karrierë të pasur politike”.
Top Channel